Sikurse ishte paralajmëruar cikloni ” Ianos ” goditi zonat perëndimore të Lamias në kufijtë me Komunën e Makrakomi dhe rrugën Lamia – Karpenisi.
Forcat zjarrfikëse u gjendën në vende të ndryshme për t’i ardhur në ndihmë njerëzve që ishin bllokuar në rrugë apo në shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve.
Mediat greke shkruajnë se ka dhjetëra thirrje për ndihmë nga njerëz që janë bllokuar nëpër shtëpia në Lianokladi, mes tyre edhe persona që kanë probleme me të ecurit.
Njëri prej tyre është transferuar në spitalin e Lamias, pasi shtëpia e tij u përmbyt dhe u shpëtua nga zjarrfikësit.
Të tjerët do të transferohen në Bashkinë e Lamias, pasi shtëpitë e tyre u përmbytën. Përveç kësaj, dhjetra janë bllokuar në makina në Rrugën Kombëtare Lamia – Karpenisi, trafiku në të cilin është ndaluar që nga ora 14:50.
Me përjashtim të makinave të zjarrfikësve dhe atyre të Mbrojtjes Civile , kalimi i çdo automjeti tjetër është i ndaluar.
Edhe në fshatin Zilefto, shtëpitë u përmbytën, ndërsa ujërat morën me vete një burrë, i cili u shpëtua, ndërsa uji ka vërshuar në shumë oborre dhe shtëpi.