Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar deklaroi sot se kthimi i anijes kërkimore sizmike “Oruc Reis” në brigjet jugore të vendit nuk do të thotë që Ankaraja ka hequr dorë nga të drejtat e saj në Mesdheun lindor.
Duke iu drejtuar agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, Akar tha se kthimi i anijes ishte pjesë e operacioneve të planifikuara, raporton Reuters.
Anija turke kërkimore “Oruc Reis”, e cila arriti në qendër të mosmarrëveshjes midis Ankarasë dhe Athinës për shkak të kërkimit të gazit natyror në Mesdhe, u kthye në Turqi gjatë natës.
Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Pecas e quajti largimin e anijes turke nga zona e diskutueshme në Mesdheun lindor një “hap pozitiv” dhe kryeministri Kiriakos Mitsotakis i bëri thirrje Turqisë të përmbushë kërkesa të tjera për dy anëtarët e NATO-s për të zgjidhur “mosmarrëveshjen territoriale”.
“Oruc Reis” lundroi natën e kaluar në portin turk të Antalias.
Tensione të mëdha
Dërgimi i një anijeje kërkimore turke në ujërat e Mesdheut lindor, të cilën Greqia e konsideron zonën e saj ekskluzive ekonomike, ka shkaktuar tension të madh javët e fundit.
Bashkimi Evropian ka kritikuar ashpër Ankaranë dhe ka kërcënuar me sanksione.
Turqia hedh poshtë kritikat dhe pretendon se ujërat në të cilat ajo realizui shpime janë pjesë e brezit kontinental turk.