Kur mësuesja Gamze Arslan e kuptoi se nxënësit e saj në provincën Van në lindje të Turqisë nuk kishin qasje në internet për ta ndjekur mësimin online shkaku i pandemisë, ajo filloi që t’i vizitonte në shtëpi.
E kemi internetin në shkollën tonë, por është vështirë të realizohet mësimi, pasi që shumë familje nuk kanë qasje në shtëpi, i ka thënë ajo kanalit televiziv turk të lajmeve, Haberturk.
Prandaj, më duhet të shkoj nëpër shtëpitë e nxënësve, ka treguar Arslan, që punon në qarkun Tusba të provincës Van, ku ndodhen dhjetëra fshatra, shkruan BBC.
Ajo kthehet një ditë më pas me detyra të reja, si dhe për t’u siguruar se nxënësit i kanë bërë detyrat e shtëpisë, duke respektuar në të njëjtën kohë distancën sociale dhe duke ua rikujtuar se si duhet ta mbajnë higjienën.
Dhe, zyrtarët lokalë i kanë përgëzuar përpjekjet e saj.
Qarku ynë është i lumtur që ka alternativë të një gjendjeje thuajse të pamundur, ka thënë drejtori i Arsimit në Tusba, Mehmet Bakir Bedevioglu.