
Ndërkohë që Greqia përpiqet të gjejë më shumë aleatë duke patur në krah presidentin e Francës, Turqia ka forcuar pozicionet e saj në terren duke njoftuar dërgimin e anijeve ushtarake në brigjet e Qipros dhe Rodosit. Mediat greke njoftojnë sefundmi se marina turke ka njoftuar një stërvitje të gjerë ushtarake në brigjet e Qipros. Gjatë stërvitjes do të përdoret zjarr i vërtetë, gjë për të cilën turqit kanë paralajmëruar të gjitha anijet që lundrojnë në zonën në fjalë.
Krahas kësaj, një numër i madh anijesh ushtarake turke gjenden në jug të Rodosit duke mbështetur anije kërkimore “Oruç Reis”, e cila po kryen kërkime. NATO i ka kërkuar të dyja vendeve që të gjejnë gjuhën e përbashkët. BE është duke i bërë presion Turqisë që të ulë tensionet, ndërsa NATO është disi më e ekuibruar duke synuar uljen e tensioneve në rajon. Më herët, kryeministri grek Mitsotakis i kishte kërkuar ndihmë Francës, e cila dërgoi në zonë aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle” dhe disa avionë “Rafale”. Po ashtu, Greqia synon të blejë 18 avionë të tillë nga Franca në muajt në vijim.