Në përvjetorin e 19-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, mbesa e organizatorit të sulmeve Osama Bin Laden, bëri publike një deklaratë të saj mbi ngjarjen.
“Për nëntëmbëdhjetë vitet e fundit, nuk ka kaluar asnjë ditë që nga ajo ngjarje e tmerrshme e tragjike që unë nuk kam menduar për ty Amerikë, e kam vajtuar privatisht me ty, për të gjitha jetët e pafajshme të humbura”, shkruante Noor Bin Ladin në llogarinë e saj në Twitter. (Ajo përdor mbiemrin e të atit, Yeslam Bin Ladin, gjysmë-vëlla i Osama Bin Ladenit).
“Kjo është pjesërisht për shkak të kësaj kthese të pashpjegueshme të fatit që më lidh me këto sulme mizore, por më e rëndësishmja për shkak të dashurisë sime për vendin tuaj”.
Ajo shtonte se “vlerat dhe ndjenjat e saj” janë “diametralisht të kundërta me mbiemrin që ajo mban”.
Krahas nderimit për jetët e humbura, Noor Bin Ladin me shtetësi zvicerane vlerësonte gjithashtu rolin e punonjësve të vijës së parë të frontit, ata që humbën jetën më vonë nga ndërlikimet me shëndetin si pasojë e sulmit si dhe për të mbijetuarit që humbën të dashurit e tyre.
Noor Bin Ladin është vajza e Carmen Dufour, një shkrimtare zvicerane dhe Yeslam bin Ladin, gjysmë-vëlla i Osama Bind Ladenit, në moshë më të madhe. Prindërit e saj u divorcuan në vitin 1988. Ajo dhe dy motrat e saj u rritën në Zvicër. Noor Bin Ladin ishte 14 vjeç në 11 shtator të vitit 2001.
“Ndihesha e shkatërruar”, tha ajo për gazetën New York Post.
“Shkoja në Shtetet e Bashkuara me mamanë time disa herë në vit prej moshës 3 vjeçare e në vazhdim. I konsideroja Shtetet e Bashkuara shtëpinë time të dytë”.
Noor Bin Ladin, e cila ka ruajtur një profil të ulët publik, fitoi famë më 6 shtator kur publikoi një letër në mbështetje të Presidentit të SHBA-së Donald Trump./