Këshilli Organizativ i Protestave kundër shtrenjtimit të rrymës kërkon takim me grupet parlamantare dhe deputetët

Këshilli Organizativ i protestave kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike sot ka bërë publike kërkesën për takim me grupet parlamentare dhe përfaqësuesit e partive në Kuvend. Qëllimi i takimit është për të biseduar rreth kërkesave të dala nga protestat qytetare të organizuara në më shumë qytete të vendit gjatë muajit Gusht dhe Shtator 2020.

“Konsiderojmë që takimi me ju, të zgjedhurit tanë, do i shërbejë zgjidhjes së problemeve të shkaktuara nga vendimi i KRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike në kohë kur, për shkak të pandemisë globale, shumë familje kanë humbur burimet e ekzistencës dhe të ekonomisë së varfër familjare, si dhe do të ndikojë në lehtësimin e vështirësive ekonomike të shkaktuara nga faturat e larta me të cilat përballen qytetarët e vendit tonë.” – thuhet në lajmërimin e Këshillit.

Kërkesa i drejtohet grupeve parlamentare të LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, ASH/AAA, si dhe deputetëve të Lëvizjes BESA, PDSH dhe LEVICA të cilat nuk janë pjesë e ndonjë grupi parlamentar.

Kërkesat e dala nga protestat qytetare:

1) Komisioni rregullator energjetik të shfuqizojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 7.4% dhe ta ulë çmimin e rrymës për konsumatorët për 46% (duke hequr 33% e fuqisë së angazhuar nga çmimi bazë, dhe uljen e tvsh-se nga 18% në 5%).

2) Qeveria të eliminojë monopolin e shërbimeve të kompanisë EVN duke i shkëputur kontratën, për t’i dhënë fund sjelljes së tyre jokorrekte dhe jonjerëzore ndaj konsumatorëve, të nacionalizojë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, dhe të krijojë politika lehtësuese për të falur borxhin e rasteve sociale në vend ndaj kompanive energjetike.

3) Kuvendi i Republikës të suprimojë Komisionin Rregullator Energjetik, si organ që i shërben vetëm apetiteteve të larta të grupeve të biznesit dhe korporatave që dëmtojnë mjaft rëndë xhepin e qytetarëve të varfër të vendit tonë.

4) Kuvendi i Republikës të krijojë një trup të pavarur, në shërbim të qytetarëve që do ketë si mision të verifikojë cilësinë e shërbimeve të kompanive energjetike, të hetojë e të adresojë të gjitha ankesat e qytetarëve ndaj këtyre dhe korporatave të ngjashme zhvatëse si këto, të anulojë kamatat e qytetarëve, t’i mbrojë konsumatorët nga skemat e kamatave që i ngarkohen qytetarëve, të paraqesë tarifë të tretë komerciale për bizneset e vogla, etj.

Këshilli Organizativ