Modeli i Suedisë së paizoluar po funksionon, shënon më pak raste të virusit se Danimarka e Norvegjia

Modeli i Suedisë së paizoluar po funksionon, shënon më pak raste të virusit se Danimarka e Norvegjia

Shkalla e infeksioneve me koronavirus në Suedinë e paizoluar ra në nivel më të ulët se në Danimarkë dhe Norvegji në vetëm 12 raste për një milion banorë gjatë javës së kaluar.

Në anën tjetër, Norvegjia shënoi 14 infektime për një milion banorë, ndërsa në Danimarkë, kjo shifër ishte 18. Suedia shënoi mesatarisht më pak raste për një milion banorë se vendet fqinje për periudhën 7-ditore për herë të parë që nga marsi.

“Suedia është shndërruar nga një nga shtetet me më së shumti infeksione në Evropë në një nga vendet me më së paku raste në Evropë”, tha epidemiologu shtetëror i këtij shteti, Anders Tegnell, gjatë një konference për gazetarë.

Ai shtoi se ndërkohë, shumë shtete tjera kanë shënuar një rritje dramatike të numrit të rasteve, shkruan Daily Mail.

Në kulmin e pandemisë, numri i rasteve të koronavirusit në Suedi ishte shumë më i lartë se në vendet fqinje të saj, të cilat zbatuan masa më të rrepta të izolimit.

Më 19 qershor, Suedia shënonte 108 raste për një milion banorë, ndërsa Danimarka tetë raste për një milion banorë e Norvegjia vetëm tri të tilla.

Suedia tash po shënon mesatarisht dy apo tre viktima të koronavirusit për 24 orë në krahasim me kulmin e pandemisë në mesin e prillit, kur regjistronte mbi 100 të vdekur në ditë.

Për t’i përforcuar edhe më shumë shenjat pozitive, nga një testim i 2,500 personave të zgjedhur në mënyrë të rastësishme javën e kaluar, asnjëri prej tyre nuk doli pozitiv në testin për koronavirus.