Drejt finalizimit prodhimi i vaksinave kundër COVID-it, falë teknologjisë së re

Një teknikë e re premtuese që sipas ekspertëve përshpejton procesin e zhvillimit po përdoret për prodhimin e dy vaksinave kundër COVID-19 të cilat mund të jeni gati deri në nëntor. Këto vaksina do të jenë dhe testi i parë që do të përcaktojnë nëse vaksinat e bazuara në kodin gjenetik, në vend të mikrobeve, mund të jenë të sigurta dhe efektive.

Një nga vaksinat po zhvillohet nga kompania amerikane Moderna. Tjetra do të jetë produkt i bashkëpunimit mes prodhuesit gjerman të ilaçeve “BioNTech” dhe kompanisë amerikane Pfizer. Të gjitha vaksinat e mëparshme shkaktonin në sistemin imunitar versione të vdekura ose të dobësuara të një mikrobe ose pjesë të tij. Përbërësi aktiv në secilën prej vaksinave të reja është një pjesë e kodit gjenetik quajtur mRNA. Ai udhëzon trupin të prodhojë një pjesë të vogël të virusit duke mos shkaktuar sëmundje, por e bën më të lehtë për sistemin imunitar që të luftojë virusin e vërtetë.

Prodhimi i vaksinës në sasi e mjaftueshme deri në qindra miliona doza zakonisht kërkon sisteme të mëdha të specializuara të prodhimit biologjik. Vaksinat e mRNA-së janë më të shpejta për t’u zhvilluar pjesërisht sepse ato nuk mbështeten tek këto sisteme komplekse.

Këto do të jenë vaksinat e para të bazuara tek kodi gjenetik të zhvilluara për t’u përdorur tek njerëzit. Aktualisht vaksina të tilla janë në treg për përdorim tek kafshët sikurse imunizimi kundër virusit të Nilit Perëndimor tek kuajt, melanomën tek qentë dhe një sëmundje virale tek salmoni.