Na pret vjeshtë e thatë me temperatura mesatare, shtator i ngrohtë dhe pa shi

Temperatura mesatare dhe  më pak shi na presin këtë vjeshtë. Pas verës së pazakontë me reshje  këtë muaj nuk priten reshje të dukshme, ndërsa temperaturat do të jenë  të larta edhe mbi mesataren.

Meteorologët parashikojnë temperaturat në shtator, tetor dhe nëntor të jenë në korrniza të  atyre mesatare  për periudhen e viteve 1981-2010  me besueshmëri të shmangies prej plus-minus një gradë Celsius. Temperatura mesatare mujore për shtatorin, tetorin dhe nëntorin mesatarisht në këtë periudhë është rreth  tetë gradë Celsius në pjesët malore deri në 16,9 gradë Celsius në Gjevgjeli. Reshjet mesatare në këto muaj për periudhën e viteve 1981-2010 janë nga 127 milimetra të matura në Shtip, deri në 326 mm në Lazaropole.

Në muajin e parë të vjeshtës, shtator priten temperatura mbi mesataren deri në një gradë, por nuk do të ketë reshje të mëdha të shiut. Mesatarja lëviz prej 12 deri në 14 gradë Celsius në pjesët malore perëndimore, 14 gradë Celsius në Berovë, 16 në Kriva Pallankë, 17 në Prilep, Manastir dhe Ohër, 19 në Shkup, Shtip dhe Strumicë, 20 në Demir Kapi dhe Gjevgjeli.