
Kompania AstraZaneca njoftoi disa ditë më parë nisjen e fazës së tretë dhe të fundit të testimeve për vaksinën e saj anti-Covid në SHBA.
Mediat vendase bëjnë me dije se personi i parë që është injektuar, mes 30 mijë vullnetarëve, është një 23-vjeçar i cili ka humbur 7 anëtarë të familjes së tij nga koronavirusi i ri.
Jacob Serrano dhe 31 persona të tjerë morën një dozë placebo ose vaksinë.
Serrano shprehet se ai dëshiron të jetë pjesë e zgjidhjes për të ndaluar virusin vdekjeprurës, i cili ka vrarë më shumë se 183 mijë persona në SHBA deri më tani.
“Unë shoh numrin e madhe të jetëve që kemi humbur dhe thjesht nuk dua që kjo gjë të vazhdojë të ndodhë,” tha ai gjatë një interviste.
AstraZaneca ka zhvilluar vaksinën në bashkëpunim me universitetin e Oksfordit. Deri tani ajo ka kaluar me sukses dy fazat e para të testimeve dhe po shkon drejt fazës së tretë për të parë nëse vaksina është efektive në parandalimin e simptomave të COVID-19 në një shkallë të gjerë.