Drejtori i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Luan Shllaku, ka thënë se investitori miliarder George Soros, ka ndihmuar Kosovën me 1.5 milionë dollarë për blerje të testeve COVID-19.
Shllaku thekson që ky donacion, është i pakrahasueshëm me ndihmat tjera që erdhën drejt Kosovës në kuadër të betejës së vendit me pandeminë e koronavirusit, njofton Klan Kosova.
”George Soros dhe djali i tij Aleks kanë marrë vendim që Kosova të ndihmohet me 1.5 milionë dollarë për blerjen e testeve të COVID-19.
Kjo ndihmë e madhe, është e pakrahasueshme me ndihmat tjera që na vijnë për COVID-19, sepse vjen nga një person i vetëm, i cili tashmë tri dekada tregon se është veçanërisht i përcaktuar ta ndihmojë Kosovën.
Fondacioni Soros, që te ne njihet si KFOS, është prezent në Kosovë qe gati tri dekada.
Më shumë se 100 milionë euro deri tash u ndanë në përkrahje të shkollimit të të rinjve tanë në universitete prestigjioze botërore; në mbështetje të sistemit arsimor, sidomos në kohën kur punuam në podrume; në zhvillimin e sektorit civil e përkrahje për shumë e shumë projekte shtetërore dhe reforma demokratike të vendit.
Mund të dëshmoj me shumë kompetencë se familja Soros ishte dhe është shume e përcaktuar ta ndihmojë Kosovën dhe Shqiptarët kudo që gjenden, si dhe të gjithë popujt tjerë në rajonin tonë. E kuptoj se fondacionet kanë shumë kundërshtarë në mesin e atyre që sot janë kërcënuesit më të mëdhenj të demokracisë në rajon dhe më gjerë, por mburrem që Kosova nuk ishte në këtë linjë, anash disa paraqitjeve sporadike, nga të cilat nuk mund të shpëtoje askush!
Përndryshe, gjatë krizës së shkaktuar me COVID-19, unë dhe kolegët e mi kishim mundësi të punojmë më shumë se kurrë më parë, duke i ndihmuar substancialisht disa grupe të rrezikuara, e në rend të parë gratë që humbën punë, familjet e të burgosurve që jetojnë në skamje, komunitetet pakicë romë, ashkalinj dhe egjiptas, mediet e vogla si dhe OJQ-të që vazhduan punën e tyre në kushte të rënduara”.