KFOR-i amerikan stërvitje në Maqedoninë e Veriut

Prej sot deri më 15 shtator në poligonin ushtarak Krivollak në periferi të Shkupit do të zhvillohen stërvitje ushtarake të pjesëtarëve të forcave të armatosura të SHBA-ve, që janë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, përcjell INA.

Sipas njoftimit të shtabit të përgjithshëm të Armatës së Maqedonisë së Veriut, stërvitja do të zhvillohet në bashkëpunim me ushtrinë vendore ARM si dhe pjesëtarët e KFOR-it polak.

Pjesëmarrës janë pjesëtarët e njësiteve të këmbësorisë amerikane, të cilët do të kryejnë lloje të ndryshme të gjuajtjeve, por edhe aktivitete tjera taktike ushtarake.

Ushtria amerikane tanimë tre vite me radhë është nikoqire e kësaj baze ushtarake për stërvitje.

Vitin e ardhshëm planifikohet stërvitja më e madhe ushtarake deri më tani në Maqedoninë e Veriut e emërtuar “Goditja vendimtare 2021”, ku do të marrin pjesë mbi 4 mijë pjesëtarë të forcave të këmbësorisë të forcave të armatosura të SHBA-ve për Evropë, ARM si dhe ushtri nga vendet e tjera anëtare të NATO-s.