Facebook kërcënon Australinë se do t’i ndalojë shpërndarjen e lajmeve

Facebook kërcënoi se do t’i ndalojë përdorusit të shpërndajnë lajme në Australi, ku autoritetet janë duke përgatitur një ligj të ri, që do ta detyrojë rrjetin social t’i paguajë botuesit për artikujt e tyre.

Rregullatorët duan që gjigantët e teknologjisë, si Facebook dhe Google, të paguajnë për përmbajtjen e ripostuar nga mediat.

Muajin e kaluar, Google i paralajmëroi përdoruesit se, për pasojë, shërbimet e tij të kërkimit mund të jenë “shumë më të dobëta”.

Paralajmërimi i fundit i Facebook-ut për të bllokuar shpërndarjen e lajmeve i përshkallëzoi tensionet midis firmave të teknologjisë dhe rregullatorëve.

Gjiganti i mediave sociale tha se nëse legjislacioni i propozuar bëhet ligj, ai do t’i ndalojë australianët të shpërndajnë lajme në Facebook dhe në, Instagram.

Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorëve tha se i ka hartuar rregullat për të “barazuar fushën e lojës” midis gjigantëve të teknologjisë dhe botuesve, që, sipas tij, janë duke luftuar, për shkak të humbjes së të ardhurave nga reklamat.

Por në një blog online, drejtori i Facebook-ut për Australinë dhe Zelandën e Re, Will Easton, tha se projektligji “e keqkupton dinamikën e internetit dhe do t’i dëmtojë organizatat e lajmeve që qeveria po përpiqet t’i mbrojë”.

Sipas tij, kjo do ta detyronte Facebook-un të paguante për përmbajtjen që botuesit e vendosin vullnetarisht në platformë, për të gjeneruar trafik në faqet e tyre të lajmeve.