Vazhdon debati kuvendor, Maqedonia e Veriut sot me Qeveri të re

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot vazhdon debati kuvendor për zgjedhje të qeverisë së re, propozuar nga mandatari Zoran Zaev.

Dje në ekspozenë e tij para deputetëve, Zaev foli për prioritetet e qeverisë së re, me theks në ekonominë dhe politikën sociale.

Kjo është qeveri e vogël, theksoi Zaev, të cilën do ta kryesoj dhe në të cilën bëjnë pjesë persona të motivuar dhe të përkushtuar, të cilët do të punojnë në realizimin e qëllimeve të vendosura në interes strategjik të shtetit.

Në ekspozenë për përbërjen e re të propozuar të Qeverisë, Zaev i porositi kandidatët për ministra se prej tyre pret përgjegjësi, si dhe t’i vendosin interesat e qytetarëve dhe të shtetit në vend të parë.

Treguam çka do të thotë të ruhen vendet e punës dhe të mirëmbahjet ekonomi stabile edhe në kohë të pandemisë, dhe kjo, theksoi Zaev, është motiv të vazhdojmë të punojmë që të kthehemi në shkallët e rritjes, sepse mundemi.

“Obligohemi në kohë të krizës rrogën minimale ta ruajmë në 14.500 denarë dhe t’u ndihmojmë qytetarëve dhe kompanive. Pas përfundimit të krizës Qeveria do të obligohet në 20 deri 30 për qind rritje të rrogës minimale dhe mesatare. Qëllim i ynë është 20 mijë denarë rrogë minimale deri në fund të mandatit. Varësisht nga kohëzgjatja e krizës botërore, obligohemi të realizojmë rritje prej 4 për qind”, deklaroi Zaev.

Paralajmëroi nisje të bisedimeve dhe miratim me konsensus të vendimit për politikën tatimore. Do të vazhdojmë, paralajmëroi Zaev, me investim në rrugë dhe autostrada të reja dhe infrastrukturë hekurudhore.

Pason, theksoi Zaev, reforma në administratën publike, me qëllim që të jepet maksimumi në shërbimet efikase të qytetarëve.

Paralajmëroi se pason pastrimi i plotë i gjyqësisë dhe ndërtimi i shtetit juridik. “Gjykatësit për të cilët do të dëshmohet se me vetëdije dhe me qëllim kanë vjetruar këndë, do të shkarkohen. Lëndët e PSP-së do të duhet të marrin pilog. Vendosim sistem për kontroll të pronës për të gjithë funksionarët. Angazhimi i fuqishëm në luftën kundër korrupsionit është edhe ministri i ri për luftë kundër korrupsionit”, deklaroi Zaev.

Pasi hymë në NATO, theksoi Zaevi, do të dëshmojmë se mundemi edhe në BE.

“Qeveria e re është e përkushtuar në marrëveshjet e Prespës dhe të Bullgarisë, të cilat e mundësuan këtë. Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në marrëdhëniet e mira fqinjësore. Do të vazhdojmë edhe me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila është bazë e bashkëjetesës ndëretnike. Para nesh është një periudhë në të cilën si shtet do të marrim shumë më shumë se sa do të japim. Angazhohemi që në katër vitet e ardhshme të hapim 80 për qind të kapitujve të bisedimeve”, deklaroi Zaevi.

Theksoi se në muajt e ardhshëm, supozohet se pasojat nga KOVID-19 do të përkeqësohen. “Vendi ynë do të bëjë gjithçka dhe tashmë jemi të gatshëm që me pako dhe masa të reja për mbështetje të të gjithë qytetarëve. Llogaritni në vendin dhe institucionet tuaja, por edhe respektoni masat për mbrojtje personale dhe të më të afërmve tuaj”, deklaroi Zaevi.

Prandaj, theksoi ai, vazhdojnë investimet në shëndetësi dhe ndërtimin e qendrës së re shëndetësore.

Gjatë mbledhjes, deputetët nga pushteti dhe opozita këmbyen teza dhe kundër teza lidhur me përbërjen e re qeveritare dhe planet që i ka ajo, ndërsa deputetët e VMRO-DPMNE, E Majta dhe koalicioni Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa, siç deklaruan paraprakisht, nuk do ta mbështesin qeverinë.

Për ekonominë, identitetin, ndryshimin e emrit, arritjet në plan ndërkombëtar, për vreshtarët, por edhe për të drejtat e grave folën deputetët në debatin e djeshëm.

Aleksandër Nikollovski nga VMRO-DPMNE, tha se ky është koalicion i gënjeshtrës, sepse para zgjedhjeve LSDM premtoi qeveri pa BDI-në, ndërsa BDI-ja premtonte kryeministër. Qytetarët, Nikollovski, i porositi që të takohen nëpër qytete dhe fshatra, në protesta, në të cilat, siç tha, do ta mundin këtë qeveri e cila do të jetë me mandat më të shkurtër.

Kostadin Kostadinov, nga LSDM, në replikë tha se është i bindur se VMRO-DPMNE edhe shumë gjatë do të jetë në opozitë me këtë sjellje dhe përhapjen e gënjeshtrave të VMRO-DPMNE-së.

Në debatin kuvendor pati replikë të ashpër edhe mes përfaqësuesve të bllokut shqiptar mes deputetëve të BDI-së dhe Koalicionit Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa.

Për zgjedhje të qeverisë nevojitet shumicë e thjeshtë, përkatësisht 61 vota, ndërsa koalicioni i LSDM-së dhe partive të tjera nga koalicioni “Mundemi”, BDI-së dhe PDSH-së, në Kuvend ka shumicë parlamentare prej 62 deputetëve.

Numri i vendeve ministrore në qeverinë e tij është ulur për shtatë dhe tani do të numërojë 19 ministra dhe kryeministri.

Programin dhe propozim-përbërjen e qeverisë së re, mandatari Zoran Zaev ia parashtroi Kuvendit të mërkurën. Krahas tij si kryeministër, anëtarë të Qeverisë do të jenë Ljupço Nikollovski si zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit, Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministër për ekonomi, Nikolla DImitrov – zëvendëskryeministër për çështje evropiane, Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska – ministre e Mbrojtjes, Bojan Mariçiq – ministër i Drejtësisë, Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë, Milla Carovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës, Jagoda Shahpaska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale dhe Irena Stefoska – ministre e Kulturës.

Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do ta udhëheqë Arianit Hoxha nga BESA, partner parazgjedhor i koalicionit me LSDM-në, ndërsa Goran Milevski nga PLD do të jetë ministër i Vetëqeverisjes Lokale edhe në Qeverinë e re.

Artan Grubi nga BDI do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për sistem politik, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i FInancave, Kreshnik Bekteshi mbetet ministër i Ekonomisë ndërsa Naser Nuredini ministër i Mjedisit Jetësor. Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës është propozuar Jeton Shaqiri.

Në propozim-programin e Qeverisë së re është paraparë edhe ulja e privilegjeve të funksionarëve publikë me qëllim që të parandalohet keqpërdorimi i funksionit për qëllime personale, ulja e shpenzimeve buxhetore dhe rritja e efikasitetit në kryerjen e ushtrimeve.

Zaev gjatë ekspozesë së djeshme tha se nuk do të ketë kompromis për ministrat nëse dikush e shkelë ligjin, ndërsa nëse shkelen normat etike pret dorëheqje apo do të ketë shkarkime. I porositi kandidatët për ministra se prej tyre pret përgjegjësi, si dhe t’i vendosin interesat e qytetarëve dhe të shtetit në rend të parë.

“Keni privilegjin me punën tuaj të bëni mirë për shtetin tonë dhe për popullin tonë. Shfrytëzojeni. Pres punë të përkushtuar dhe në tërësi të sendërtoheni dhe të udhëhiqni procese të cilat sjellin transformim për më mirë dhe asnjëherë mos harroni se secili prej jush është përgjegjës edhe para qytetarëve edhe para ligjeve nuk ka tolerancë për shkelje të funksionit të cilin e kryeni. Me atë nuk ka pasur dhe asnjëherë nuk do të ketë kompromis. Nëse dikush e shkelë ligjin, do të përgjigjet. Nëse shkelen normat etike pres dorëheqje ose do të ketë shkarkime”, tha Zaev.

Kjo, siç tha, i referohet të gjithë drejtorëve dhe udhëheqësve, por edhe tërë administratës publike.

“Posaçërisht të keni kujdes për sjelljen e atyre nga eshaloni i dytë dhe i tretë, udhëheqës të sektorëve dhe dikastereve, shefa të institucioneve publike. Keqpërdorimet më të[ mëdha, raporti joetik, mu atje bëhen”, theksoi Zaev.

Deputetët do të takohen sot në orën 12:00, në vazhdimin e mbledhjes, ndërsa siç paralajmëroi dje Xhaferi, folës i parë duhet të jetë deputeti nga shumica, lideri i Lidhjes demokrate, Pavle Trajanov.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut u mbajtën më 15 korrik. Për shkak të gjendjes me koronavirusin, u votua tre ditë, nën protokolle të rrepta shëndetësore.