VMRO-DPMNE heq dorë nga posti i nënkryetarit të Kuvendit. Zëdhënësi i partisë, Dimçe Arsovski ka thënë se as nuk do të pranojnë dhe as nuk do të propozojnë kandidat për nënkryetar, ndërsa ka kundërshtuar edhe numrin e lartë prej pesë nënkryetarëve për të cilët tha se janë vetëm shpenzime të panevojshme.
“VMRO-DPMNE publikisht u prononcua se as nuk pranon dhe as nuk do të propozojë nënkryetar të Kuvendit. Për këtë hap që e ndërmarim kemi dy arsye. E para është se ka aq shumë nënkryetar dhe ekonomikisht është e paarsyetueshme sepse shpenzohen paratë e qytetarëve dhe arsyeja e dytë se bëhet fjalë për pozicion që është shpikur nga ana e LSDM dhe Zoran Zaev vetëm që të mund të tregtojnë me funksione”, deklaroi Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.
Ai akuzoi se kjo temë është hapur artificialisht nga LSDM dhe Zaev gjatë ditëve të kaluara me qëllim që të defokusohet opinion nga fakti që sipas tij, për pesë muaj 40.000 qytetarë kanë mbetur pa punë.
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së dhe mandatar për forimin e Qeverisë, Zoran Zaev, ka thënë se nëse VMRO-DPMNE heq dorë nga e drejta e saj për të pasur nënkryetarë Kuvendi, të njëjtën gjë do ta bëjë edhe LSDM.
“Kësaj radhe u konfirmua numri i nënkryetarëve dhe vërtetë nëse VMRO-DPMNE dhe LSDM mund të kenë nga një nënkryetar, që do të thotë se atëherë do të ngelin tre vende të lira edhe për partitë më të vogla në vend. Nënkryetari i Kuvendit mer 100 deri 150 euro më shumë pagë, kjo nuk është për shkak të madhësisë së shpenzimeve, sigurisht sepse kanë zyrë më të madhe, por sot çdo deputet ka zyrë të tij, por thelbi është a do ta dëgjojmë zërin e qytetarëve. Nëse VMRO-DPMNE tërhiqet edhe ne tërhiqemi dhe do të lem hapsirë për më të vegjlit, që të jetë edhe numri më i vogël”, deklaroi Zoran Zaev, LSDM.
Zaev tha se shpreson që kjo do të jetë gjenerata e parë e politikanëve që mendon për administratë më racionale. Ai kujtoi se për këtë qëllim kanë ulur edhe numrin e ministrive si dhe kanë shkrirë shumë institucione që të rrisin efikasitetin dhe t’i ulin shpenzimet.