Ky është një botim që ka munguar deri më tani dhe do të plotësojë një vend që ka qenë bosh deri më tani, duke inkurajuar kërkime të mëtejshme mbi këtë temë shumë interesante dhe bashkëkohore. Jam i bindur se rëndësia dhe dobia e këtij punimi shkon përtej kufijve të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën e më gjerë. Libri do të ndihmojë shumë studiues dhe kërkues të tjerë, që do të kenë në fokus të studimeve dhe kërkimeve të tyre masmediat, diplomacinë si dhe sfidat për të ardhmen.
Nga Arben ÇEJKU
Libri “Roli i mediave në diplomaci”, i shkruar nga studiuesi Xhemi Hajredini, është një vepër me vlera të theksuara shkencore dhe me një dobi të madhe shoqërore për të gjithë lexuesit në përgjithësi dhe, për studentët, gazetarët, diplomatët, historianët, politikanët dhe intelektualët në veçanti. Kam patur kënaqësinë, ta lexoj ndër të parët këtë vepër dhe, njëkohësisht të kisha nderin për t’i dhënë ndonjë sugjerim modest autorit. Unë kam mësuar shumë nga kjo vepër, e cila shtrihet në kohë duke përfshirë disa dekada si dhe mbulon ngjarje e zhvillime shumë të rëndësishme që kanë ndodhur në rajonin tonë. Bashkë me median, është rritur edhe diplomacia dhe, bashkë me diplomacinë, është rritur edhe sfida për informimin publik.
Media dhe diplomacia, siç do të vini re në këtë libër, shkojnë krah për krah, duke kryer secila misionin e vet fisnik ndaj publikut. Diplomacia rritet, perfeksionohet, përshtatet gjithnjë e më shumë në funksion të realizimit të interesit shtetëror, ndërkohë që media përpiqet t’i dalë gjithnjë një hap para, për t’i shërbyer publikut. Atëherë kur media është dukur se e ka dëmtuar diplomacinë, në fakt ajo thjesht ka bërë detyrën e saj duke mbrojtur interesin e shoqërisë. Jo gjithmonë interesi shtetëror ka shkuar dhe shkon në përputhshmëri absolute me interesin e publikut. Dhe kjo vihet re në analizën që zoti Hajredini u bën ngjarjeve në rajonin e Ballkanit dhe në Maqedoninë e Veriut. Media ka qenë syri vigjilent dhe ylli i mëngjesit që ka lajmëruar gjithnjë ditën e re.
Në këtë ecje paralele, edhe media, edhe diplomacia kanë përsosur format, mjetet dhe metodat e tyre. Edhe diplomacia e ka përdorur ndonjëherë median, për të përforcuar efektivitetin e saj, për të arritur objektivat e saj, për të tejkaluar skemat e vjetra. Por edhe media, e ka përdorur diplomacinë, prapaskenat e saj, për të dhënë lajmet e papritura, lajmet e ngjarjeve që do të ndodhnin në të ardhmen e afërt. Ata kanë ditur të bashkëpunojnë kur interesi i publikut ka qenë më i madh sesa rregulli burokratik i komunikimit. “Rrjedhjet” e lajmeve nga kancelaritë diplomatike, jo gjithmonë kanë qenë një rastësi. Ato janë bërë që nëpërmjet medias, të lehtësohet zgjidhja.
Pasqyra e ngjarjeve të konflikteve dhe incidenteve nga ana e medias, kanë lehtësuar punën e diplomacisë për të arritur zgjidhje dhe marrëveshje mes palëve. Theksojmë se, si media, si diplomacia, janë në aleancë, kur është fjala për t’i shërbyer rendit e ligjit, rregullit, lirisë, demokracisë dhe ardhmërisë së shoqërisë sonë.
Siç do ta vini re në këtë libër, të shkruar bukur dhe të shtjelluar me mjeshtëri dhe argumente të plota shkencore, media ka njohur evoluim dhe përsosje të vazhdueshme dhe, sot, ajo po ballfaqohet me sfida të reja, që vijnë për shkak të teknologjisë digjitale dhe rrjetit të komunikimit virtual në internet. Epoka e mediave tradicionale po ndryshon ditë për ditë. Kjo vihet re edhe në reduktimin e gazetave të shtypura në letër, në krahasim me faqet dhe portalet elektronike në internet. Kjo epokë e ka rritur fuqinë e informimit në raport progresiv, krahasuar me dy dekada më parë. Nuk ka të krahasuar, p.sh, numri i lexuesve të një portali me numrin më të madh të lexuesve që mund të ketë patur një gazetë në vitet ’90 apo 2000. Por, nga ana tjetër, gazetat dhe media e shkruar kanë rolin e tyre. Në këtë proces të ndryshimit, duket qartë që shoqëria është duke ndjekur trendin e novacionit elektronik, median në internet. Por, edhe vetë media elektronike, është duke u sfiduar në përditshmëri nga “lajmet” dhe informacionet, që shpërndajnë në internet qytetarët e lirë, të cilët, nuk e kanë qëllim në vetvete dhe nuk e kanë profesion gazetarinë. Por lajmet dhe komentet e tyre, janë të pashmangshme në krijimin e opinionit publik. Ky ndërveprim i shoqërisë nëpërmjet aktivitetit të përditshëm në rrjetet sociale, ka shtyrë median profesionale të gjejë shtigje të reja, që së paku të jetë një hap para publikut. Në këtë këndvështrim, siç na e dëshmon në këtë libër zoti Hajredini, edhe diplomacia ka hyrë në një fazë moderne të komunikimit dhe ndërveprimit të saj. Nuk jemi më në periudhën kur mesazhet dhe letrat e krerëve të shteteve shkonin nga një kancelari në tjetrën, të dyllosura dhe të pahapura. Në atë periudhë klasike të komunikimit ndër-shtetëror, roli i ambasadorëve dhe diplomatëve ishte tepër i rëndësishëm. Mirëpo, me kalimin e kohës, edhe për diplomacinë, shumë gjëra kanë ndryshuar. Sot, p.sh, Presidenti Trump e përcjell qëndrimin e tij dhe të Shtëpisë së Bardhë në pak sekonda në të gjithë botën.
Interneti është kthyer në një platformë informimi dhe komunikimi shumë sfidues, si për median, ashtu edhe për diplomacinë. Ndaj dhe mesazhi, që na vjen nga libri “Roli i Mediave dhe Diplomacia” të Profesor Xhemi Hajredini, është i tillë që të tre komponentët; shoqëria, media dhe diplomacia, duhet të nxjerrin mësime nga e kaluara, për të qenë sa më të suksesshëm në sfidat që kanë përpara. Shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo interesi i qytetarëve dhe promovimi i vlerave të qytetërimit perëndimor, siç janë liria, demokracia, integrimi dhe prosperiteti.
Duke i uruar suksese në botimet e tjera profesorit Xhemi Hajredini, kam besim se me këtë libër ai po na ofron një kontribut shkencor dhe intelektual për të njohur të kaluarën e afërt të historisë së mediave dhe marrëdhënieve të saj të ndërsjellta me diplomacinë, si dhe do të na shërbejë si udhërrëfyes për të nesërmen. Ky është një botim që ka munguar deri më tani dhe do të plotësojë një vend që ka qenë bosh deri më tani, duke inkurajuar kërkime të mëtejshme mbi këtë temë shumë interesante dhe bashkëkohore. Jam i bindur se rëndësia dhe dobia e këtij punimi shkon përtej kufijve të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën e më gjerë. Libri do të ndihmojë shumë studiues dhe kërkues të tjerë, që do të kenë në fokus të studimeve dhe kërkimeve të tyre masmediat, diplomacinë si dhe sfidat për të ardhmen.
(Autori është ish-Ambasador, Anëtar i Bordit Drejtues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë)