Pandemia e koronavirusit vazhdon të përhapet, por rritja e numrit të rasteve të vdekjes dhe të sapoinfektuarve nga Kovid-19 është ngadalësuar në nivel global, përveç në Azinë Juglindore dhe Mesdheun Lindor, kumtoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
OBSH në raportin e fundit për pandeminë, të publikuar dje, thekson se Amerika Veriore dhe Jugore edhe më tutje paraqesin rajone më së shumti të goditura, ku janë regjistruar gjysma e numrit të të sapoinfektuarve prej mbi 1,7 milion e 62 për qind prej 39.240 raste të vdekjes të konfirmuara gjatë javës së kaluar.
Numri i të sapoinfektuarve javën e kaluar u zvogëlua për katër për qind në krahasim me javën paraprake, ndërsa numri i të vdekurve është zvogëluar për 12 për qind, kumtoi OBSH.
Azia Juglindore, situata e dytë më serioze epidemiologjike në botë, ka paraqitur rritje të numrit të të sapoinfektuarve për 28 për qind, ndërsa numri i rasteve të vdekjes nga koronavirusi u rrit për 15 për qind.
“Gjithashtu, në rajonin mesdhetar lindor, numri i të sëmurëve nga Kovid-19, është rritur për katër për qind, ndërsa numri i rasteve të vdekjes nga kjo sëmundje zvogëlohet gjatë gjashtë javëve të fundit. Numri i rasteve të reja dhe të vdekjes nga koronavirusi në Afrikë u zvogëlua prej tetë deri në 11 për qind javën e kaluar”, thuhet në raportin e OBSH-së.
Në Bashkimin Evropian, numri i rasteve të reja të paraqitura me Kovid-19 është në rritje konstante në tre javët e fundit.
Gjatë javës së kaluar, u rrit vetëm pak, për një për qind, ndërsa numri i rasteve të vdekjes vazhdoi të rritet.
Sipas të dhënave të OBSH-së, rajoni i Paqësorit Perëndimor ka shënuar rënie prej pesë për qind në infektime të reja.
Deri tani mbi 3,65 milion njerëz në botë janë infektuar me koronavirusin, ndërsa 811.895 kanë vdekur si rezultat i sëmundjes së shkaktuar nga ai.