Sevilla fituese e ‘Europa League’

Skuadra spanjolle e Sevillas u konfirmua edhe sonte si eksperte e Europa League, duke mposhtur Interin në finale me rezultat 3:2.

Secili nga të dyja ekipet shijuan epërsinë nga një herë në 45 minutat e para.

Romelu Lukaku (5′) realizoi fillimisht nga pika e bardhë, para se Luuk de Jong (12′) të barazonte rezultatin.

Sulmuesi holandez (33′) shënoi sërish me kokë për t’i dhënë epërsinë skuadrës spanjolle, megjithatë Diego Godin (36′) baraspeshoi sërish rezultatin.

Në gjysmën e dytë të dyja ekipet luajtën me kujdes të shtuar, duke bërë që detaje të vogla të vendosnin fituesin.

Qendërmbrojtësi Diego Carlos (74′) bëri një goditi me roveshadë, ku falë një devijimi padashje të Lukaku bëri që topi të përfundonte në rrjet.

Ky doli të jetë momenti vendimtar i ndeshjes, me skuadrën e Lopeteguit që fitoi për herë të gjashtë në histori Ligën e Evropës, njëkohësisht ekipi më i dekoruar me këtë trofe.

Në anën tjetër, skuadra e Antonio Conte mbetet pa trofe edhe një sezon tjetër.