OBSH-ja tha sot se shpreson që pandemia e COVID-19 të zgjasë më pak sesa pandemia e gripit spanjoll e vitit 1918, që në dy vjet vrau dhjetëra miliona njerëz.
“Shpresojmë ta mundim këtë pandemi në më pak se dy vjet. Sidomos nëse mund të bashkojmë përpjekjet tona, t’i shfrytëzojmë sa më shumë mjetet në dispozicion dhe me shpresën se mund të kemi mjete shtesë, si vaksinat, mendoj që ne mund t’i japim fund asaj në një periudhë më të shkurtër kohore, sesa gripi i vitit 1918”, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për shtyp.
Gripi spanjoll vrau 50 milionë persona nga viti 1918 deri në 1920, ndërkohë që kequshqyerja dhe tuberkulozi e bënë popullsinë gjithnjë e më të brishtë, raporton ATSh.
Ndryshe nga virusi Sars-Cov-2, në origjinë të pandemisë së COVID-19, që ka vrarë rreth 795 000 persona në të gjithë botën, nga rastet e para të raportuar në fund të vitit 2019 në Kinë, gripi spanjoll preku veçanërisht më të rinjtë.
Ghebreyesus, gjithashtu, theksoi se ishte thelbësore për vendet që të bashkonin përpjekjet e tyre dhe përsëriti thirrjen e tij për solidaritet global dhe unitet kombëtar.