Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, gjatë vizitës së sotme në pjesën e rinovuar të laboratorit në Institutin e Shëndetit Publik, e falënderoi ambasadoren e SHBA-s Kejt Bërnz, siç tha ai, për angazhimin e pakursyer për të ndihmuar që nga fillimi i pandemisë në përforcimin e sistemit tonë shëndetësor. Filipçe theksoi se SHBA-ja mbetet partneri kryesor strategjik i shtetit tonë, si në fushat e tjera, ashtu edhe në shëndetësi.
“Falë Ambasadës së SHBA-s, do të kemi kabinet me bio-siguri të nivelit të 3-të, në fushën e mikrobiologjisë. Do të jetë edhe një përforcim tjetër dhe një hap tjetër përpara në cilësinë e shërbimit shëndetësor që jepet në teknologjinë për punë”, tha Filipçe.
Ai theksoi se që nga fillimi i pandemisë në laboratorin e Institutit nuk kishte asnjë të punësuar të infektuar, sepse ata i kanë respektuar rekomandimet për mbrojtje.
“Në këtë laborator, ku u kryen testet e para të koronavirusit dhe ndaj të cilit, ishte presioni më i madh nga pacientët nga i gjithë vendi, ata filluan të bëjnë 20 testime në ditë, ndërsa tani po bëhen 1.200 testime”, tha ministri, i cili i përgëzoi punonjësit për sakrificën e tyre gjatë kohës së pandemisë.
Ministri Filipçe deklaroi se përmes Ambasadës së SHBA-s në shtetin tonë, sistemi ynë shëndetësor pranoi pajisje dhe materiale mbrojtëse nga SHBA-ja. Klinika e Sëmundjeve Infektive mori ndihmë mjekësore nga SHBA-ja, ndërsa Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës mori pajisje mbrojtëse.
“SHBA-ja ka konfirmuar se është partneri ynë më serioz strategjik, si në fushat e tjera, ashtu edhe në shëndetësi. Ky është vazhdim i një bashkëpunimi afatgjatë. Në periudhën e kaluar, Klinika për Nefrologji ishte rinovuar plotësisht, pastaj Klinika Psikiatrike – Demir Hisar. Punimet ndërtimore tek Kirurgjia maksilofaciale janë duke u zhvilluar tani ndërsa gjatë periudhës së ardhshme do të fillojnë në Klinikën e Hematologjisë, me çka SHBA-ja po kontribuon seriozisht në përforcimin e sistemit tonë shëndetësor, për sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve mjekësore”, tha Filipçe.
“Me të vërtet është nder i madh të jem këtu me ministrin e Shëndetësisë dhe drejtorin e Institutit të Shëndetit Publik, me të cilin kam mundësinë të vizitoj laboratorët e rinovuar të mikrobiologjisë. Puna e ekspertëve, profesionistëve dhe teknikëve në këto ambiente është thelbësore dhe me të vërtetë e rëndësishme në menaxhimin e pandemisë”, deklaroi ambasadorja Bërnz për MIA-n.
Tregoi se atë që panë sot është mbresëlënëse dhe se mund të thotë me kënaqësi që lehtësirat shtesë të marra me këtë rinovim vijnë si rezultat i bashkëpunimit të jashtëzakonshëm në mes Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministrisë dhe Institutit.
“Ne kemi punuar së bashku, hap pas hapi, për të siguruar vendime në kohë për projektet kryesore që do të ndihmojnë në përmirësimin e aftësive të testimit të këtij vendi. Jam krenare që jemi në gjendje t’i shohim rezultatet e bashkëpunimit shkencor në mes Institutit dhe Qendrave të Kontrollit të Sëmundjeve në SHBA, për të siguruar trajnime dhe pajisje, si këtu sot, ashtu edhe në raportet ditore nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Bërnz.
Fakti që më shumë se 1.700 testime janë kryer çdo ditë në javët e fundit, siç theksoi ambasadorja e SHBA-s, është konfirmim i punës së shkëlqyeshme të Qeverisë në menaxhimin e krizës në këtë periudhë shumë të vështirë.
“Ne jemi këtu sot sepse besojmë dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin me Institutin e Shëndetit Publik dhe Ministrinë për t’i ndihmuar ata të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Sepse ne e dimë se ndërsa përballemi me sfidat e KOVID-19, ne jemi më të fortë së bashku si kolegë, miq dhe aleatë”, tha ambasadorja Bërnz.