Lideri i LSDM-së Zoran Zaev sot bëri të ditur se është arritur marrëveshje për formimin e shumicës parlamentare, formimin e qeverisë së re dhe ndarje të ministrive me BDI-në. Zaevi gjithashtu theksoi se marrëveshjen e tyre të sotme duhet ta konfirmojnë trupat më të lartë të partisë, sot dhe nesër. LSDM, shtoi Zaevi, marrëveshjen do ta prezantojë edhe para partive që janë pjesë e koalicionit “Mundemi” si dhe para PDSH-së, si partner i ardhshëm qeveritar.
“E saktësuam dhe konfirmuam kornizën për bashkëpunimin e ardhshëm mes LSDM-së, koalicionit Mundemi dhe BDI-së, është arritur marrëveshje koalicioni për krijimin e shumicës parlamentare, për ndarje të përgjegjësive, përbërjes dhe parimeve të qeverisë së re me mandat të plotë e cila në katër vitet e ardhshme do të punojë me përkushtim për interesat e qytetarëve dhe të shtetit”, tha Zaevi, i cili theksoi se do ta udhëheqë qeverinë në katër vitet e ardhshme.
Lideri i LSDM-së tha se veçanërisht e rëndësishme për ta ishte arritja e marrëveshjes së shpejtë për koalicion qeveritar për shkak të nevojës për vendosje të shpejtë në funksion të institucioneve kyçe në shtet, e me qëllim përballjen me sfidat shëndetësore dhe me të gjitha sfidat tjera në lidhje me Kovid-19.
Zaevi paraqiti një pjesë të parimeve të Qeverisë së re, të cilën do ta udhëheqë ai në mandat të plotë katërvjeçar.