Aleanca dhe Alternativa reagojnë për marrëveshjen e qeverisë së re mes LSDM-BDI

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa vlerëson se marrëveshja e sapoarritur mes LSDM-së dhe BDI-së është për një qeveri mashtruese dhe jolegjitime.

“Së pari, ka mashtruar BDI-ja, e cila sot e ka shkelur me të dyja këmbët premtimin e vetëm parazgjedhor për kryeministër shqiptar dhe, së dyti, ka mashtruar LDSM-ja, e cila para zgjedhjeve thoshte se “në asnjë mënyrë nuk do të bëjë koalicion me BDI-në”. Prandaj për koalicionin tonë kjo qeveri nuk meriton asnjë respekt politik dhe, si e tillë, do të ketë përballë 12 deputetë dhe një popull që nuk do ta lejojë mashtrimin dhe uzurpimin e vullnetit politik” – thuhet në reagimin e ASH-së dhe Alternativës. Ata shtojnë se prej nesër do të jenë ofensivë që, me të gjitha mjetet demokratike, ta kthejnë demokracinë, ta ndalin manipulimin me vullnetin politik dhe ta ndalojnë mashtrimin që si ves i rri mbi kokë një vendi aspirant për Bashkimin Evropian.