Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se sistemi i shëndetësisë po përgatitet për skenarë të rëndë me shumë pacientë gjatë vjeshtës, por, shpreson që njerëzit do të jenë të vetëdijshëm dhe do t`u përmbahen masave preventive. Në një intervistë për MKDmk, Filipçe tha se së shpejti do të promovohet plani për restrikcione shtesë në rajonet ku ka shumë pacientë me Covid-19 dhe ku rreziku është më i lartë. Sipas tij kthimi i orës policore, mbyllja e shkollave, mbyllja e objekteve gastronomike si dhe ndalimi i grumbullimeve, janë disa nga masat që mund të merren. Por, thekson se për planin restriktiv është me rëndësi edhe qasja rajonale.
Në lidhje me përgatitjet për 16 Kovid qendrat modulare për punën e spitaleve në vjeshtë, Filipçe thekson se ata do të jenë pjesë e spitaleve ekzistuese, që të mund kuadri të menaxhojë më lehtë.
Edhe klinikat por edhe spitalet kanë plan se kush nga ekspertët e tyre do të menaxhojnë me ata spitale mobile, qëllimi është që pacientët me Covid-19 tërësisht të ndahen nga të tjerët. Mendoj se është një sistem i shkëlqyer”, pohon Filipçe.
Ministri Filipçe shton se duhet të kemi kujdes me fëmijët, sepse skenari më i keq do të thotë edhe rritje të numrit të pacientëve me grip sezonal, të cilët do të mbushin repartet në të cilat tani janë shtrirë pacientë me Covid-19.
Në pyetjen për organizimin e mësimit nga shtatori, ministri mendon se propozimi i Komisionit për Sëmundje Infektive është krejtësisht solid- deri në klasën e tretë të ketë pjesëmarrje fizike të nxënësve, kurse të tjerët të vijojnë mësimin “online”. Por, sipas tij nëse ka prindër që dëshirojnë që fëmija të vazhdojë mësimin online edhe pse i përket grupit deri në klasën e tretë, duhet të ketë opsion “online” edhe për ta.
Propozimet tona bazohen në informata epidemiologjike, kurse MASh duhet të përgjigjet për pasojat tjera”, theksoi Filipçe.
Në kohë kur po testohen dhjetëra vaksina kundër Covid-19, ministri është optimist se një e tillë, efikase do të zbulohet deri në fillim të vitit 2021. Në lidhje me vaksinën tashmë të regjistruar në Rusi, Filipçe tha se nuk ka shumë informata por që ka ekspertë vendorë që po hulumtojnë.