Biden, nis sjellja si president: maska, detyrim kombëtar!

Kandidati demokrat në zgjedhjet presidenciale amerikane, Joe Biden, bëri thirrje për vendosjen e detyrimit për të veshur maska ​​në nivel kombëtar në Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të shtypë përhapjen e infeksionit të virusit koronar.

“Çdo amerikan duhet të veshë një maskë për të paktën tre muajt e ardhshëm sa herë që gjendet larg shtëpisë,” tha Biden në një konferencë shtypi. “Le të prezantojmë një detyrim në nivel kombëtar që do të hynte në fuqi menjëherë dhe ne do të shpëtojmë jetë,” argumentoi ai, duke kaluar kështu në planin psikologjik të betejës politike për Shtëpinë e Bardhë, sjelljen si president.

Ish-zv.presidenti i SHBA tha që masa mund të shpëtojë mbi 40,000 jetë gjatë tre muajve të ardhshëm, duke përmendur se më shumë se 165,000 njerëz kanë vdekur në COVID-19 deri më tani në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk ka pse të jetë kështu”, argumentoi Biden, duke shtuar se, nëse Presidenti Donald Trump do reagonte më herët, numri i të vdekurve mund të ishte shumë më pak.

Harris parashtroi një plan për të luftuar pandeminë

Biden foli gjatë paraqitjes së tij të dytë në publik me kandidaten e re të emëruar për zv.presidente, Kamal Harris, dhe pas një takimi me ekspertët e shëndetit për situatën me koronavirusin.

Harris përshkroi një plan për të luftuar pandeminë nëse ata fitojnë zgjedhjet, e cila përfshin krijimin e një komiteti testimi për shpërndarjen e miliona kompleteve testesh, dhe zhvillimin e një njësie të veçantë të punonjësve shëndetësorë për të monitoruar kontaktet.

Presidenti Trump hodhi poshtë propozimin e tyre, duke e cilësuar si “lojë politikë me virusin” dhe dha pak mbështetje për të veshur maska, në kundërshtim me konsensusin e përgjithshëm të ekspertëve të shëndetit. Trump ka rezistuar prej kohësh për të veshur maskë. Edhe pse kohët e fundit pretendoi se “beson në maska”, ai la vendimin final në dorë tyë autoriteteve federale.

Harris gjithashtu tha se demokratët po bëjnë presion për një shpërndarje të barabartë të vaksinave për të gjithë qytetarët amerikanë përmes një plan investimi prej 25 miliardë dollarësh në prodhim dhe shpërndarje.