Sot 19 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

Më 13 gusht të vitit 2001, para 19 vjetësh, u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit e cila konsiderohej si garantuese e bashkëjetesës dhe barazisë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve në territorin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë – tash Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja u arrit asistimin e bashkësisë ndërkombëtare, pas luftimeve të cilat ndodhën në vitin 2001 dhe mes tjerash ka për qëllim të promovimit të zhvillimit të qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Roli i bashkësisë ndërkombëtare për ndërprerjen e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes politike ishte i pazëvendësueshëm. Qysh gjatë zhvillimeve luftarake në IRJM, Unioni Evropian dhe SHBA, dërguan përfaqësuesit e tyre Francois Leotard dhe James Perdew, si ndërmjetësues për arritjen e paqes.

Pas negociatave të mundimshme me palët e konfrontuara, ata përgatitën dokumentin e ashtuquajtur “Versioni Draft i Dokumentit Kornizë”, të cilin më 7 korrik, 2001, ua dorëzuan katër liderëve, pjesëmarrës në Qeverinë e ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe presidentit Boris Trajkovski.

Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër, faktori politik shqiptar startoi me pozicione euro-perëndimore. Nuk doli me kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet europerëndimore. Në fakt, kërkohej që karakteri multi-etnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror.

Ndërsa, pala maqedonase mbante pozicion ekskluziv duke refuzuar kërkesën që pasqyronte diversitetin objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit. Me fjalë tjera, përderisa pala maqedonase synonte të kontrollojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, pala shqiptare nuk ndërhynte në korpusin e të drejtave të maqedonasve.

Në momentin kur pritej që negociatat e Ohrit të marrin fund, qarqe të caktuara nacionaliste, qeveritare dhe joqeveritare maqedonase filluan të japin deklarata të pamatura, të cilat shkaktuan reagime të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Këto deklarata përpiqeshin të minojnë procesin politik dhe projektin e marrëveshjes të hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Por, qendrat e vendosjes ndërkombëtare ia bënë me dije palës maqedonase, se “rrugëdalje më të mirë, pos pajtimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti nuk ka”.

Negociatat shqiptaro-maqedonase në Ohër zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13 gusht 2001. Nën trysninë ndërkombëtare, konflikti shqiptaro-maqedonas u mbyll me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, nënshkruar në Shkup nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas, që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri.

Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit euro-amerikanë, Leotard dhe Perdew.

Për zbatimin e suksesshëm të MO-së, ishte krijuar Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si pjesë e Qeverisë, institucion ky që tashmë është shuar dhe është shndërruar në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.