
Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan deklaroi të enjten se rruga drejt zgjidhjes me Greqinë në Mesdheun Lindor është e mundur përmes dialogut dhe bisedimeve. “Nëse mund të arrihet në përputhje me arsyen e shëndoshë mund të gjendet formula e bazuar në përfitimet e dyanshme dhe e cila do të mbrojë të drejtat e të gjithëve”, raportohet të ketë thënë Erdogan. Raportet mes dy vendeve u ashpërsuan pasi Turqia dërgoi një anije për të kryer një studim sizmik në një zonë të diskutueshme në Mesdheun Lindor, një veprim që Greqia e konsideron të paligjshëm. Ministria greke e Punëve të Jashtme kishte lëshuar një deklaratë ku i bënte thirrje Turqisë të “ndalë menjëherë aktivitetet e saj të paligjshme që dëmtojnë paqen dhe sigurinë në rajon “.