Mickoski: Ahmeti më informoi se do të negociojë për qeveri me LSDM-në

Me Ali Ahmetin kemi pasur takim njëorësh javën e kaluar në Kuvend. Në këtë takim zotëri Ahmeti më informoi se do të fillojë negociatat për formimin e Qeverisë me LSDM-në me arsyetimin se ajo është partia që ka fituar në bllokun maqedonas, theksoi në konferencën e sotme lideri i VMRO-DPMNE-së, Hrisitian Mickoski.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve rreth takimit me liderin e BDI-së, Mickoski tha se nuk është dakorduar me qëndrimin e Ahmetit se LSDM-ja ka fituar në bllokun maqedonas, duke potencuar se partia që ka fituar bindshëm te maqedonasit është VMRO-DPMNE-ja.

Ai theksoi se parimet për koalicion të VMRO-DPMNE-së janë të qarta. “VMRO-DPMNE asnjëherë nuk do të negociojë nga pozita e diktatit dhe kushtëzimeve, VMRO-DPMNE do të bëjë koalicion në bazë të programit”, theksoi lideri i kësaj partie.

Lidhu me mundësinë për zgjedhje të reja parlamentare në vjeshtë, Mickoski vlerëson se ka mundësi për formim të qeverisë, por nëse ato shpenzohen atëherë, siç thotë, mund të bisedohet për zgjedhje të reja.

“Nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë, mendoj se ka akoma mundësi për të formuar qeveri politike, nëse edhe shfrytëzohen atëherë mund të flasim për zgjedhje të reja”, tha Mickoski.

I pyetur në lidhje me llogaritjen e numrit të deputetëve dhe pse mendon se partia e tij është fituese në zgjedhje, Mickoski tha se kjo ndodh sepse, sipas tij, “VMRO-DPMNE ka 40 deputetë, kurse LSDM ka 32.”

“VMRO-DPMNE si parti politike brenda Parlamentit pas verifikimit të mandateve të deputetëve ka 40 në numër, kurse LSDM-ja ka 32. Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka 44, kurse koalicioni i udhëhequr nga LSDM ka 42. Nëse i shikojmë numrat që LSDM-ja i krahason së bashku me partnerin e tyre të koalicionit BESA janë 46. Kjo është nëse tani ne shtojmë në 44 tonët numër të caktuar të disa deputetëve të tjerë nga një parti tjetër politike dhe të themi se së bashku me këto kemi më shumë sesa LSDM-ja. Partia që është përfaqësuese legjitime dhe e besueshme e popullit maqedonas, e maqedonasve brenda Kuvendit është VMRO-DPMNE me numrin më të madh të deputetëve dhe ato janë 40”, përfundoi Mickoski.