Komisioni për sëmundje infektive së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës mbajnë sot mbledhje në të cilën pritet të finalizohen protokollet për realizimin e mësimit nga 1 shtatori. Epidemiologu Aleksandar Stojanov, anëtar i Komisionit dhe drejtor i Qendrës për shëndet publik Shkup, konfirmoi për MIA-n se aktualisht kanë takim në protokollet për të cilat edhe më parë kanë pasur takime këshilluese me grupin punues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të përcaktuar detajet.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi deklaroi të premten se drita jeshile për modalitetet, siç tha, është dhënë nga Komisioni për sëmundje infektive me të cilin ata i kanë përpunuar në detaje, morën qëndrime nga SASHK-u dhe se këtyre ditëve pritet finalizimi i tyre. Ai shtoi se ka kohë të mjaftueshme deri më 1 shtator për të organizuar me kohë fillimin e vitit shkollor 2020/2021 dhe të gjitha shkollat të përgatiten për zbatimin e protokolleve për tre llojet e mësimdhënies në varësi të situatës epidemiologjike – me prezencë fizike, mësimdhënie onlajn dhe e kombinuar.
“Faza e ardhshme është që të rishikohen edhe një herë protokollet në Komision dhe pastaj në një seancë të Qeverisë të vendoset se cili model konkretisht do të aktivizohet, për cilat rrethana dhe në cilën situatë epidemiologjike”, deklaroi ministri Ademi.