Klima e biznesit në vend është “mbytëse”, ndërsa bizneset shqiptare zgjedhin të investojnë jashtë vendit, ka shkruar në një shënim në Fejsbuk, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.
Ajo shkruan se bizneset shqiptare kanë investuar jashtë Shqipërisë 1.3 miliard euro, shumica kanë shkuar në fqinjin e Maqedonisë së Veriut.
“Bizneset shqiptare kanë investuar jashtë Shqipërisë 1.3 miliard euro dhe shumica kanë shkuar në fqinjin e Maqedonisë së Veriut. Jo vetëm nuk tërheqim investime të huaja por as nuk bindim bizneset vendase të investojnë në Shqipëri. Mijëra vende të reja pune në RMV prej investimeve te biznesit shqiptar, ndërkohë që rradhët e të papunëve në Shqipëri shtohen përditë. Pse ndodh kjo? Sepse kryeministri në ikje ka krijuar klimën më mbytëse për punësimin, investimet dhe sipërmarrjen shqiptare. Në vend të ndihmës për ekonominë, Qeveria Rama ka shpërdoruar dhe vjedhur me PPP-të korruptive një vlerë sa 13% e Prodhimit të Brendshëm, afërsisht sa investimet e humbura në Shqipëri”, ka shkruar Tabaku në Fejsbuk, njofton Top Çanel.
Sipas saj, këto miliarda euro dhe mijëra vende pune të humbura për shqiptarët, fqinji ynë na i ka marrë si pasojë e politikave fiskale dhe ekonomike pro-biznes. Vetëm për 2019 vlera që kemi humbur ka qenë sa 10% e PBB-së.
Punësimi ka nevojë për biznese dhe investime. Bizneset dhe qytetarët kanë nevojë për frymëmarrje dhe programi ekonomik i PD ka objektiv pikërisht këtë.
“Eliminimi dhe reduktimi i 18 taksave dhe mbi 60 tarifave, moratoriumi 1 vjecar për inspektoriatet si dhe lehtesimi i çdo procedure burokratike dhe prezantimi i taksës së sheshtë 9%, do ta kthejnë Shqipërinë në një vend normal dhe shumë konkurues me qëllim investimet më të larta në rajon. Fokusi ynë është të luftojmë për çdo vend pune, dhe të mbështesim çdo sipërmarrje, duke i rikthyer frymëmarrjen ekonomisë”, thekson Tabaku.