Vijojnë bisedimet për formimin e QEVERISË së re, tani për tani asgjë zyrtare

Bisedimet për formimin e qeverisë së re mes partive po rrjedhin, por tani për tani ende askush zyrtarisht nuk është deklaruar nëse ka arritur marrëveshje. Edhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski mbeten në qëndrimin se do të sigurojnë shumicë parlamentare me 61 deputetë.

LSDM dje kumtoi se fillon negociata serioze me kryetarët e partive politike, me grupet e punës, anëtarët e kryesive të partive, për një mandat të plotë katërvjeçar të shumicës stabile në Parlament dhe formim të Qeverisë.

“Bisedojmë kryesisht për formim të Qeverisë e cila kujdeset për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, të liruar nga çfarëdo lloj paragjykimesh apo nacionalizmash etnikë, Qeveri e cila nuk ka kurfarë dilema kur është në pyetje rruga jonë e përbashkët e cila quhet “Maqedonia e Veriut – Një shoqëri për të gjithë”, thonë nga LSDM.

PDSH kumtoi se në takimin e liderit të vet, Menduh Thaçi me Zaevin të martën në Klubin e deputetëve në Shkup, LSDM i ka ofruar partisë të jetë pjesë e koalicionit të ri qeveritar. PDSH parimisht është e mendimit të jetë pjesë e Qeverisë, por ishte dakorduar të formohen grupe të punës të cilat do t’i kryesojnë sekretarët e dy partive të cilat duhet merren vesh për hollësitë, informoi Azem Sadiki nga PDSH në profilin e tij në Fejsbuk.

Pas takimit të shkurtë me Thaçin, Zaev dje është takuar edhe me kryetarët e BDI-së, Ali Ahmeti, Aleancës pr shqiptarët, Ziadin Sela dhe Alternativës, Afrim Gashi. Takimet, siç lajmëroi TV21, janë zhvilluar larg syve të opinionit, ndërsa takimi me Ziadin Selën ka qenë në Kuvend. Tani për tani, sipas televizionit, nga LSDM nuk zbulojnë hollësi, por vetëm konfirmuan se Zaev është takuar me kryetarët e BDI-së, Aleancës dhe Alternativës.

Kryetari i Aleancës për shqiptarët, Sela të martën deklaroi se pret të ketë shtet juridik i cili më shpejtë do të bëhet anëtare e BE-së. Sipas Agrim Gashit nga Alternativa, ndërkaq, partive u duhet më shumë kulturë politike dhe vullnet për t’u shërbyer qytetarëve.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas konstituimit të Parlamentit tha se është herët të flitet për pritjet dhe se nuk ka asgjë konkrete në negociatat për qeveri të re.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski paralajmëroi se në ditët në vijim do të kenë takime me partitë që i fituan vendet e deputetëve për një qeveri të re të mundshme, por theksoi se ai mbetet i qëndrimit se nuk do ta bëjë me çdo kusht, nën kërcënime dhe shantazhe, por bazuar në angazhimet e programeve dhe vizionin për një jetë më të mirë të qytetarëve.

VMRO-DPMNE, tha ai, është një parti që do të përpiqet të sigurojë një shumicë parlamentare prej 61 deputetësh dhe të formojë një qeveri, por jo me çdo kusht.

“Për mua, politika është në nivelin e filozofisë, parimeve dhe përcaktimeve programore. Prandaj, të gjithë aktorët politikë që vlerësojnë se programi me të cilin garoi VMRO-DPMNE-ja në zgjedhje, dhe i cili për pjesën më të madhe do të ishte një program i punës së qeverisë së ardhshme mund ta mbështesin. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë, jo vetëm me BESA-n, por me të gjitha partitë politike nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM,” tha Mickoski.

Nëse ne dështojmë, ne mbetemi opozitë, tha Mickoski, duke shtuar se pavarësisht nëse ata janë në pushtet apo opozitë, do të vazhdojnë të luftojnë për atë në të cilën besojnë, dhe se, sipas tij, është krijimi i një shoqërie më të mirë dhe sigurimin e një jete më të mirë për qytetarët.

Nga kabineti i presidentit, për TV24 dje porositën se Pendarovski nuk do të ftojë askënd në bisedë por do ta presë epilogun nga negociatat mes partive politike.

“Lidhur me pyetjen se kur presidenti mund të ketë takime me partitë, do t apresim epilogun nga bisedimet të cilat janë në rrjedhë mes partive të cilat kanë fituar deputetë në Kuvend. Cila do parti apo koalicion i partive që do të sigurojë shumicë në Kuvend mund të kërkojë bisedë tek presidenti për ta informuar për rezultatin nga negociatat politike”, thonë nga Kabineti i Presidentit.

Kushtetuta parasheh presidenti i vendit, në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.