Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime Ujore (KRRE) i cilëson si të pasakta, të pabaza dhe joprofesionale zërat se çmimet e rritura të energjisë elektrike do t’i rrisin çmimet e produkteve.
Nga KRRE-ja sot përsëritën se vendimi i 31 korrikut për shtrenjtimin e rrymës për 7,4 për qind ka të bëjë vetëm për tregun rregullator të energjisë elektrike.
“Shumica e konsumatorëve industrial dhe tregtar furnizohen vetë me energji elektrike në tregun e lirë me çmime të papërcaktuara nga Komisioni Rregullator i Energjisë. Çmimi i energjisë elektrike në tregun e lirë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2020 është më i ulët përafërsisht nëntë përqind krahasuar me vitin 2019, që do të thotë se kostoja e energjisë elektrike për konsumatorët industrialë dhe tregtarë në vitin 2020 do të jetë më e ulët se në vitin 2019. Në vijim industria do të ketë kosto më të ulët të energjisë elektrike në krahasim me vitin 2019 dhe do të ndikojë pozitivisht në funksionimin e saj në këto kohë krize”, tha në një deklaratë me shkrim Marko Bislimoski, kryetar i Komisionit Rregullator të Energjisë.
Nga KRRE-ja thonë se me vendimet e 31 korrikut përmes faktorëve të korrigjimit MEPSO-s ia ka ulur të ardhurat për vitin 2020 për 13,25 milionë euro, derisa EVN HOME për 4,5 milionë euro, për shkak të asaj që këto kompani në vitin 2019 kanë realizuar të ardhura më të mëdha nga ato të lejuarat.
Sa i përket metodologjisë dhe shpenzimeve të cilat pranohen, Komisioni Rregullator bën të ditur se ka ndikim në rreth 40 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të shfaqura, përderisa në 60 për qind të shpenzimeve nuk ka ndikim.
Shpenzime të cilat nuk janë lëndë e rregullimit, përkujton KRRE, janë:
1.Shpenzimi për blerjen e energjisë elektrike nga EMV. Komisioni Rregullator për Energjetikë sipas Ligjit për Energjetikë të vitit 2019 më nuk e përcakton çmimin e EMV-së, por kjo kompani me çmimin e saj prezantohet në tenderin e furnizuesit universal EVN HOME. Në vitin 2019 çmimi përmes të cilit EMV siguronte energji elektrike për amvisëritë ishte 2,1218 den/kWh, përderisa në vitin 2020 është 2,3496 den/kWh, gjegjësisht është më i lartë për 10,74 për qind. Çmimi i EMV-së në vitin 2020 është më i ulët nga çmimi i EMV-së për vitin 2017 për 7 për qind.
2. Shpenzim për blerje të energjisë elektrike nga prodhuesit e autorizuar, i cili është përcaktuar dhe garantuar me Ligjin e Energjetikës që nga viti 2009.
3. Diferenca e furnizuesit universal, në vlerë prej 11,5 për qind, i përcaktuar në tenderin e shpallur nga Qeveria dhe të përcaktuar për periudhën prej 5 vite, deri në korrik të vitit 2024. Me diferencën mbulohen të gjitha shpenzimet operative, por edhe kërkesat e papaguara të furnizuesit universal. Përqindja e pagesës te amvisëritë është 90 për qind.
“Me vendimin e Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi i shpërndarjes së energjisë elektrike për amvisëritë është ulur për 0,38 për qind”, thuhet në kumtesën e KRRE-së.
Pas vendimit të KRRE-së për çmimin e ri të rrymës pasuan reagime dhe paralajmërime për protesta nga shoqatat qytetare dhe sindikatat.