
Gjendja shëndetësore e kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferit është e qëndrueshme dhe ai pushon pas rekomandimit të mjekëve, informojnë sot nga Kabineti i tij.
“Gjendja shëndetësore e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferit është e qëndrueshme. Duke pasur parasysh aktivitetet intensive që i ka pasur gjatë fushatës zgjedhore pas rekomandimit të mjekëve i nevojitet pushim”, theksojnë nga Kabineti i Xhaferit.
Njëherit, theksojnë se disa herë është testuar dhe është negativ ndaj Kovid-19.
Nga Kabineti tani për tani nuk konfirmojnë nëse Xhaferi do të shkojë në Krushevë për festën e Ilindenit siç paraprakisht ishte paralajmëruar, as kur do ta caktojë seancën konstituive të përbërjes së re të Kuvendit, por tregojnë se gjithçka do të bëhet në pajtim me afatet e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Talat Xhaferi javën e kaluar ishte shtrirë në Klinikën Infektive për shkak të kontrollit sistematik.
Sipas Kushtetutës, ai duhet ta caktojë seancën konstituive më së voni deri më 4 gusht. Nëse nuk do të mund ta bëjë këtë, ky rol i takon deputetit më të vjetër në përbërjen e re të Kuvendit.