Këshilltari i ngushtë i Trump infektohet me koronavirus

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit Donald Trump, Robert O’Brien, ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Shtëpia e Bardhë e cila në deklaratën e saj zyrtare njofton se këshilltari ka simptoma të lehta dhe ka pothuajse një javë që punon i vetë-izoluar larg zyrës së tij në Uashington.

O’Brien bëhet kështu zyrtari më i lartë amerikan i prekur nga pandemia. Ai është një nga personat më të afërt me Presidentin e SHBA por takimi i tyre i fundit ka ndodhur para dy javësh.

Ai ishte i angazhuar në një tur në Europë ku ka takuar përfaqësues të lartë nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

O‘Brien u emërua pas mosmarrëveshjes së Trump me këshilltarin e mëparshëm, John Bolton.  

Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti Trump nuk rrezikohet nga ky rast, por gjatë javëve të fundit disa punonjës të kafeneve në Shtëpinë e Bardhë kanë rezultuar pozitivë.