Dhjetëditëshi i parë i muajit Dhul-Hixhe është sezoni i radhës i begative të Allahut të madhëruar dhe i mundësive që Ai u jep robëve të Tij për fitimin e tyre.
Ky dhjetëditësh ka Haxhin dhe festen e madhe të Kurbanit dhe përgatitjen për to të cilat përveç begative që përmbajnë janë edhe simbole të ndjekjes së adeteve të Ibrahimit -alejhi selam- në njehsimin e Allahut të madhëruar dhe nënshtrimit para Tij.
Për shkak të këtyre vlerave që kanë këto ditë mendohet se ato janë përmendur tre herë në Kuran:
E para: Në suren El-Haxh, ku Allahu i madhëruar i drejtohet Ibrahimit -alejhi selam- dhe i thotë: “Thirri njerëzit për në Haxh që të vijnë në këmbë dhe hipur mbi deve nga çdo vis i largët * Të vijnë për të prezantuar në mirësi dhe për të përkujtuar Allahun në ditë të caktuara mbi kafshët me të cilat Ai i ka furnizuar” ajetet: 27-28.
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këto ajete thotë: “Ditët e caktuara janë dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe, siç ka thënë: Ibn Abasi, Ebu Musa EL-Esh’ari, Muxhahidi, Ata’a, Said bin Xhubeir, El-Hasen El-Basrij, Katade, Ed-Dahhak, Ata’a El-Khurasani, Ibrahim En-Nekhaij dhe është gjithashtu medhhebi i Shafiiut dhe mendimi më i njohur i Ahmed bin Hanbelit” mbaron këtu fjala e tij, shih tefsirin e Ibn Kethirit: 5/415.
Pra sipas këtyre dijetarëve ditët e caktuara të përmendura në këto ajete janë dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe, mirëpo mund lind pyetja se pse Allahu i madhëruar më pas përmend kurbanet kur thotë [për të përkujtuar Allahun në ditë të caktuara mbi kafshët me të cilat Ai i ka furnizuar]? Si ta kuptojmë se vlera e ditëve të caktuara të përmendura në këtë ajet shkon për të gjithë dhjetëditëshin e Dhul-Hixhes, ndërkohë që në ajet përmenden kurbanet dhe ato nuk theren veçse në ditën e dhjetë dhe ditët pas saj dhe ajo është dita e fundit e këtij dhjetëditëshi?
Përgjigja: Sipas mendimit të këtyre dijetarëve përmendja e kafshëve për kurban bashkë me ditët të caktuara nuk do të thotë se ajeti ka për qëllim vetëm ditën e kurbaneve i cila është një prej këtyre dhjetë ditëve dhe konkretisht dita e dhjetë, sepse ajeti ka lidhje me realitetin e haxhilerëve të cilët në atë kohë, kur niseshin për në Haxh në fillim të muajit Dhul-Hixhe, merrnin me vete kurbanet e tyre. Ata gjatë këtyre ditëve e përmendnin Allahun me telbije ([Lebebjk Allahumme Lebbejk] Të përgjigjem ty o Allah të përgjigjem!) gjatë gjithë udhëtimit për në Haxh nën shoqërimin e kurbaneve nga fillimi i Dhul-Hixhes e deri në ditën e therjes së tyre, pastaj e përmendnin atë përsëri në momentin e therjes së tyre ditën e kurbaneve me fjalët [Bismilah] dhe [Allahu Ekber].
Ky është shkaku se pse Allahu i madhëruar i ka përmendur kurbanet bashkë me ditët e caktuara dhe kështu është shprehur edhe shejhu i Islamit Ibn Tejemije Allahu e mëshiroftë në fetvatë e tij në lidhje me këtë çështje. Shih librin e tij Mexhmu El-Fetaua: 24/225-226.
Pra, sipas këtij ajeti këto dhjetë ditë të para të muajit Dhul-Hixhe janë ditë të caktuara nga Allahu i madhëruar për përkujtimin e Tij që nga koha e Ibrahimit -alejhi selam- i cili ishte i pari që i thirri njerëzit për Haxh.
E dyta: Në suren El-Araf, ku Allahu i madhëruar thotë:
“Ne i caktuam Musait për tu takuar tridhjetë netë. Pastaj i shtuam atij dhe dhjetë të tjera dhe kështu u plotësua premtimi i Zotit të tij me dyzet netë” suretu El-Araf: 142.
Këto ajete bëjnë fjalë për takimin e premtuar nga Allahu i madhëruar për Musain -alejhi selam- në malin e Turit, vend në të cilin i premtoi zbritjen e Teuratit. Për këtë qëllim Allahu i madhëruar i caktoi atij tridhjetë ditë, pastaj ia shtoi atij dhe dhjetë të tjera siç njofton ajeti.
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këto ditë, në komentimin e ajeteve, thotë: “Shumica e dijetarëve janë të mendimit se tridhjetë ditët janë ditët e muajit Dhul-Kade (dmth: muaji para Dhul-Hixhes), ndërsa dhjetë ditët janë të muajit Dhul-Hixhe. Kështu ka thënë: Muxhahidi, Mesruku Ibn Xhurejxhi dhe është transmetuar edhe prej Ibn Abbasit.
Atëherë sipas këtij mendimi takimi i tyre është plotësuar në ditën e kurbanit dhe në atë ditë i ka folur Allahu Musait -alejhi selam- me fjalë dhe po në këto ditë i është plotësuar feja Muhamedit alejhi selam siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: [Sot e plotësova për ju fenë tuaj, dhe e përsosa mbi ju mirësinë time dhe zgjodha për ju Islamin për fe]” përfundon këtu fjala e tij, shih tefsir Ibn Kethir: 3/468.
Pra, ky ajet njofton për një ngjarje të rrallë të ndodhur me Musain alejhi selam dhe që është folja e Allahut me të me fjalë e cila sipas shumicës së komentuesve ka ndodhur në dhjetëditëshin e parë të Dhul-Hixhes.
Me shumë gjasa edhe Musai -alejhi selam- ka qenë në dijeni të vlerës së këtyre ditëve, sepse edhe ai është prej ndjekësve të Ibrahimit -alejhi selam- siç janë të gjithë profetët e Beni Israilëve. Madje profeti -alejhi selam- ka thënë: “Sikur po shoh Musain duke zbritur nga qafa e kodrës me zë të ngritur me telbije”e transmeton Muslimi.
Ndërsa në një transmetim tjetër ka thënë: “Sikur po shoh Musain alejhi në këtë luginë të veshur me dy ihrame Katauani” e transmeton Ebu Jala dhe Taberanij dhe e saktëson shejh Albani.
E treta: Në suren El-Fexhr ku Allahu i madhëruar thotë:
“Pasha agimin * Pasha dhjetë netët * Pasha atë që është çift dhe tek * Pasha natën kur lëviz * A nuk është ky një betim i mjaftueshëm për atë që ka logjikë?!” ajetet: 1-5.
Ibn Kethiri Allahu e mëshiroftë në lidhje me këto ajete thotë: “Dhjetë netët e përmendura janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes siç ka thënë: Ibn Abasi, Ibn Ez-Zubeir, Muxhahidi dhe shumë prej selefëve” mbaron këtu fjala e tij Allahu e mëshiroftë, shih tefsir Ibn Kethir: 8/390.
Fakti që Allahu i madhëruar i ka përmendur me fjalën [netë] dhe jo [ditë] është për shkak se nata në kalendarin islam i cili është kalendar hënor i paraprin ditës dhe kur thuhet “një natë” përfshihet edhe dita siç ndodh edhe me kalendarin diellor kur thuhet “një ditë” dhe përfshihet edhe nata.
Ibn El-Arabij një prej komentuesve të njohur të Kuranit -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë betim thotë: “Në këtë betim, janë edhe ditët bashkë me netët, sepse nata është para ditës dhe është llogaritja e kohës sipas hënës, sipas së cilës Allahu i madhëruar i ka përcaktuar adhurimet në Islam”.
Një shembull të tillë e pamë edhe te ajetet e lartpërmendura në lidhje me Musain alejhi selam ku Allahu i madhëruar thotë: “Ne i caktuam Musait për tu takuar tridhjetë netë. Pastaj i shtuam atij dhe dhjetë të tjera dhe kështu u plotësua premtimi i Zotit të tij me dyzet netë” suretu El-Araf: 142.
Fjala [netë] në këtë ajet është përdorur për të treguar për ditë të plota të cilat përshijnë edhe netët edhe ditët, sepse takimi me Musain -alejhi selam- ka qenë dyzet ditë të plota.
Dobitë e përfituara nga ajetet.
Bazuar në sqarimet e lartpërmendura mund të themi se prej ajeteve përfitohet si me poshtë:
1- Vlera e dhjetëditëshit të parë të muajit Dhul-Hixhe është që nga koha e Ibrahimit -alejhi selam-, sepse ai është i pari që thirri për të bërë Haxh në Qabenë e nderuar.
2- Në dhjetëditëshin e parë të muajit Dhul-Hixhe kanë ndodhur edhe shfaqje të tjera të mirësisë së Allahut si plotësimi i fesë së Muhamedit -alejhi selam- dhe me shumë gjasa edhe folja e Allahut të madhëruar me Musain -alejhi selam- me fjalë dhe zbritja e Teuratit.
Bashkimi i disa mirësive në një sezon nuk është gjë e largët në ditët e vlerësuara nga Allahu i madhëruar, sepse një gjë e tillë ka ndodhur edhe me xhumanë për të cilën profeti alejhi selam ka thënë se në atë ditë është krijuar Ademi, në atë ditë ka hyrë në xhenet, në atë ditë ka vdekur etj.
3- Betimi i Allahut të madhëruar në dhjetëditëshin e parë të Dhul-Hixhes tregon për rëndësinë e këtyre ditëve te Allahu i madhëruar.
4- Mirësia e këtij dhjetëditëshi përshinë edhe ditët edhe netët, sepse fjala natë e përdorur në betim kur nuk kufizohet ka për qëllim edhe natën edhe ditën.
5- Këto ditë janë sipas kalendarit hënor i cili është metoda e profetëve e porositur prej Allahut të madhëruar për llogaritjen e kohës.
Së fundi themi: Këto janë dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes në Kuran dhe vlerat që ato përmbajnë.
Lusim Allahun e madhëruar të na mundësojnë arritjen e begative të tyre! Amin!
Dr.Abdullah Nabolli