Jakë moj ditë e bardhë – Nga Prof. Xhemi Hajredini

Jakë moj ditë e bardhë

Ftohtë në dhe të huaj,
o zemërbardhë…
i dëbuar a i larguar,
druaj, si të të quaj!
Si zogj krahëprerë,
pa ajër dashurie,
pa ëndrra shprese…
Për pak punë e drejtësi,
ike, s’deshe paudhësi,
po tani o kurbetçi?!
Krejtësisht i çorientuar,
i mashtruar e çatdhesuar,
malli prush,
për t’ajrosur folenë,
për ta prekur dyshemenë!
Dera e shtëpisë mbyllur,
të parët shkuan në pakthim,
fqinjët s’kanë çelës,
mjegullnajë o derëbardhë.
Në vorbullën e pandemisë,
zemra plagë,
o mërgimtar durimtar…
pagjumësi së këndejmi,
lot së andejmi.
Ditë e bardhë, moj, jakë,
me bij dhe bija ajkë!

Xhemi Hajredini
Strugë, 22 korrik 2020