SELMAN DAUTI NJË MËSUES I DEVOTSHËM(1944-2020)

Shkruan
Bexhet Asani

SELMAN DAUTI NJË MËSUES I DEVOTSHËM
(1944-2020)

Më 17 korrik 2020, në qytetin e Strugës, ndërroi jetë mësuesi veteran Selman Dauti. Mësuesi Selman Dauti një jetë të tërë ia kushtoi arsimimit dhe edukimit të vogëlushëve të tij të dashur. Ai është një nga nxënësit e parë të pas Luftës së dytë Botërore dhe një nga kuadrot e para. Selmani kreu Normalen e Shkupit. Pas diplomimit mori ditarin në duar dhe e mbajti me nder, me dashuri dhe me krenari derisa u pensionua. Nga reagimet dhe komentet e shumta që familjes së tij iu shprehnin ngushëllime, më ranë në sy disa komente të ish nxënësve të tij, të cilët flisnin me mall për mësuesin e tyre të dashur Selman Dauti. Bile disa postonin fotografi të viteve të para të karrierës së tij në tetëvjeçaren e fshatit Dollogozhd.
Selman Dauti ishte i sjellshëm, i qetë, i edukuar, i arsyeshëm. Kishte një natyrë të qetë dhe dukej sikur rrezatonte dhe e qetësonte bashkëbiseduesin e tij dhe të gjithë ata që e njihnin dhe kishin nderin ta takonin.
Ai ishte një arsimtar shembullor dhe një atdhetar i devotshëm. Kur shihte se në popullin dhe në atdheun tonë nuk shkonin punët ashtu si duhej ai shpërthente si një llavë. E shqetësonin dhe e preokuponin padrejtësitë që bëheshin ndaj popullit të tij.
E urrente kurbetin që padrejtësisht ia rrëmbeu edhe djemtë e tij! Vuante kur lulja e rinisë dhe kuadrot më të afta të popullit, merrnin botën në sy!
Revoltohej gjer në pakufi, po fund i fundit kush e pyeste një pensionist veteran?! Ai iku i shqetësuar pa masë! Problemet në shoqërinë shqiptare i përjetonte thellë. Të gjitha këto bënin që ai herë pas here të gjente ngushëllim te pija! Por e mbante veten. Atë e karakterizonte një optimizëm i paparë për të ardhmen!
Mësuesi i Popullit Selman Dauti shkoi në amshim më 17 korrik 2020. Duke lënë pas fjalën e tij të ëmbël e shëruese!
U prehtë në paqe!
I qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë që e rriti!
B.A.