As Zaevi e as të tjerët nuk do ta kenë kënaqësinë ta shohin BDI-në në opozitë. Do të ju thahet gëzimi në buzë më 15 korrik, tha lideri I BDI-së, Ali Ahmeti në Debate Zgjedhore. Sipas tij, të tjerët nuk duan që ta çojnë në opozitë BDI-në por duan të çojnë në opozitë shqiptarët.
Nuk është çështja BDI për ta çuar në opozitë, këta kërkojnë shqiptarët t’i çojnë në opozitë, akoma ëndërrojnë shqiptarët sharraxhi, akoma shqiptarët t’i shohin mbledhës të plehrave dhe jo në majë të pushtetit që kanë drejtuar me sukses për 18 vite”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Deklaratën për shkëmbim deputetësh të liderit të socialdemokratëve Zoran Zaev me Hristijan Mickoskin vetëm për të mos pranuar kushtëzime nga BDI për kryeministër shqiptar, Ahmeti e konsideron të rrezikshme dhe ndezje zjarri.
Fatmir Aliu: Do të kemi dy parti të bllokut maqedonas të cilët do të japin deputet njëri-tjetrit për ta bërë Qeverinë.
Ali Ahmeti: Edhe ajo nuk mund të ndodhë që t’i japin njëri-tjetrit. Ato nuk mund të ndodhin sepse është përmbys hegjemonizmi.
Fatmir Aliu: Po thoni që është jo legjitime nëse VMRO dhe LSDM bartin deputetë.
Ali Ahmeti: Ore jo legjitime por e rrezikshme, kjo do të thotë të ndezësh zjarr.”
Ahmeti në ndërkohë tha se nëse kampi maqedonas bëhet bashkë atëherë edhe blloku i partive shqiptare do të bëhet bashkë. Lidhur me kërkesën e mediave për debat publik me liderëve të partive politike shqiptare, Ahmeti tha se kjo mund të ndodhë atëherë kur opozita shqiptare do të përzgjedhë një përfaqësues të tyrin. Ndërsa për debatin mes kandidatëve për kryeministër, Ahmeti vlerëson se Mickoski dhe Zaev nuk kanë kapacitet të përballen me kandidatin për kryeministër shqiptar, Naser Zyberi.