Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI), Christopher Wray, tha se aktet e spiunazhit dhe vjedhjes nga qeveria kineze përbëjnë “kërcënimin më të madh afatgjatë” për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara.
Në Institutin Hudson në Uashington, ai vlerësoi se ishte një fushatë përçarje me shumë shtresa.
Ai shtoi se shtetasit kinezë që jetojnë jashtë ishin në shënjestër të Pekinit, sepse Kina po përpiqej t’i detyronte ata të ktheheshin.
Ai tha se Kina po përpiqej të kompromentojë hulumtimet e SHBA-së mbi virusin e koronës.
“Të gjitha përpjekjet e Kinës kanë për qëllim që të bëhen superfuqia e vetme në botë në çfarëdo mënyre,” tha Wray.
Ai gjithashtu foli për fushatën e supozuar të spiunazhit të Kinës, vjedhjen e të dhënave apo aktivitetet e paligjshme politike, duke përdorur ryshfet dhe shantazhe me qëllim të ndikimit në politikën amerikane.
“Ne kemi arritur në atë pikë që çdo dhjetë orë FBI hap një rast të ri kundër-zbulimit që përfshin Kinën,” tha Wray.
Ai shtoi se nga afro 5,000 çështjet aktive të inteligjencës, të cilat po vazhdojnë në të gjithë vendin, gati gjysma kanë të bëjnë me Kinën.