AktualeMaqedoni Teste për të hyrë në Maqedoni për shtetasit e Serbisë, Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi, Komisioni i rekomandon Qeverisë

Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut sot në mëngjes ka sjellë vendim duke rekomanduar që qytetarët që hyjnë nga vendet fqinje dhe rajoni duhet të kenë test për koronavirus.

Sipas këtij komisioni, për të hyrë në Maqedoninë e Veriut shtetasit e Serbisë, Kosovës, Bosnjë- Hercegovinës dhe Malit të Zi duhet të kenë test PSR negativ për koronavirus, edhe ate jo më të vjetër se 72 orë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa rekomandimi i Komisionit i është dërguar Qeverisë. Komisioni ka rekomanduar që kjo masë të hyjë në fuqi nga dita e nesërme. Megjithatë, do të varet se a do të pranohet nga ana e Qeverisë për tu bërë e plotëfuqishme, përcjell INA.

Rekomandimi i Komisionit për Sëmundje Infektive është sjellë pas shqyrtimit të situatës aktuale epidemiologjike në vendet fqinje dhe të rajonit, dhe pas informacioneve të siguruara nga institucionet e atjeshme shëndetësore. Kjo masë siç shihet nuk do të vlejë për shtetasit e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të BE-së.

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe dy ditë më parë paralajmëron se gjatë kësaj jave mund të rekomandojë masa shtesë sa i përket kufijve, pasi që ka rritje të rasteve me Kovid19 në shtetet e rajonit.

“Jemi duke pritur edhe disa informacione shtesë. Dëshirojë të them se është e mundur që këto ditë të rekomandojmë disa masa, nëse vërtetojmë se hyrja e qytetarëve nga këto vende mund të rrezikojë sistemin tonë.”, theksoi ministri Filipçe.
Por, kryeministri teknik, Oliver Spasovski javën e kaluar theksoi se Qeveria nuk do të diskutojë për mbylljen e kufijve që e lidhin vendin me Kosovën dhe Serbinë. Ai bëri me dije se mbetet në fuqi vendimi i fundit i ekzekutivit që kufijtë të jenë të hapur, pa kushte për hyrje dhe dalje.

“Komisioni Për Sëmundje Infektive është duke mbledhur informacione të detajuara dhe është duke bërë analiza. Kjo nuk është çështje politike. Për këtë Qeveria nuk mund të sjell vendim i cili do të ishte politik. Duam të sjellim vendime që i sollëm deri tash, të bazuara nga personat adekuat si dhe nga epidemilogët. Nëse vlerësohet së duhet të merret ndonjë masë e veçantë, atëherë ne do ta diskutojmë në Qeveri”, ka deklaruar kryeministri teknik Oliver Spasovski (deklarata 3 korrik).

Në rast të një vendimi obligativ për shtetasit e vendeve të lartpërmendura, pritet që të ndodhin masa reciproke edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.