Eshtë shuar gjigandi italian i muzikës së filmave, fituesi i Oskarit, Ennio Morricone.
Frymën e fundit ai e dha në moshën 91-vjeçare në një klinikë në Romë.
Autor i më të bukurave kolona zanore, të kinemasë italiane e asaj botërore, ai do ishte i preferuari dhe i shqiptarëve të viteve ’70-’80, sidomos për muzikën e filmit “Zhoz profesionisti” apo “Na ishte njëherë Perëndimi”.
Media italiane shkruan se funerali i Ennio Morricones do të mbahet në formë private “në lidhje me ndjenjën e përulësisë që gjithmonë ka frymëzuar aktet e ekzistencës së tij”.
Familja e njoftoi këtë përmes mikut dhe avokatit të tyre Giorgio Assumma, që u shpreh gjithashtu se “mjeshtri e ka ruajtur deri në fund kthjelltësinë e plotë dhe dinjitetin e madh”.
“Ai përshëndeti gruan e tij të dashur Maria e cila e shoqëroi me përkushtim në çdo moment të jetës së tij njerëzore dhe profesionale dhe ishte pranë tij derisa dha frymën e fundit. Ai falënderoi fëmijët dhe nipërit e tij për dashurinë dhe kujdesin që i dhanë, si dhe falenderoi audiencën tij, e cila e ka përkrahur dhe e ka dashur, duke e frymëzuar në krijimtarinë e tij”, tha avokati.