Nikolla Dimitrov, ministër i Punëve të Jashtme ka deklaruar sot se sa i takon çështjeve të kufijve aty nuk ka politikë dhe se kriteri kryesor është pasqyra epidemiologjike.
“Në bazë të propozimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, ku janë ekspertët dhe epidemiologët do ti sjellim edhe vendimet. Në këtë periudhë, sa i takon çështjes së kufijve, nuk ka politikë, kriteri kryesor është pasqyra epidemiologjike. Propozimi i Bashkimit Evropian sa i takon lirisë së udhëtimit nga vendet jo anëtare të BE-së, kriteri kryesor për ta është afër ose deri në 200 raste të reja me Covid -19, të regjistruara në 14 ditët e fundit, në 100 000 banorë. Kjo ka të bëjë për udhëtimet jo thelbësore. Ndërsa nga kjo bëjnë përjashtim punëtorët shëndetësor, punëtorët kufitarë, punëtorët sezonal, personeli për transport, delegacione qeveritare, diplomatë, pjestarë të organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak, udhëtar transit, persona që udhëtojnë për shkaqe të patjetërsueshme familjare, për shkaqe të shkollimit dhe punëtor të kualifikuar, të nevojshëm për interesin ekonomik të atyre vendeve”, ka deklaruar Dimitrov, raporton SHENJA.