Banka e Anglisë nuk ia kthen arin Venezuelës

Gjykata e Lartë në Britani të Madhe vendosi sot se qeveria “e njeh pa mëdyshje” liderin e opozitës së Venezuelës, Juan Guaido si president të vendit

Londër

Gjykata e Lartë në Britani të Madhe vendosi sot se qeveria “e njeh pa mëdyshje” liderin e opozitës së Venezuelës, Juan Guaido si president të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Vendimi u nxit nga një mosmarrëveshje ligjore mbi 800 milionë paund (1 miliard dollarë) e arit e cila mbahet në Bankën e Anglisë.

Banka Qendrore e Venezuelës (Banco Central de Venezuela – BCV) ndërmori veprime ligjore në mënyrë që ari, të cilin Banka e Anglisë e mban në emër të saj, të lëshohet në mënyrë që të mund të shpenzohet gjatë krizës së koronavirusit që ka përfshirë këtë vend të Amerikës Latine.

BCV ka një bord të caktuar nga Nicolas Maduro, i cili është president i Venezuelës që nga viti 2013 ndërsa Guaido emëroi një bord paralel.

Banka e Anglisë tha se kishte “ngecur në mes të pretendimeve rivale”. Gjithashtu edhe qëndrimi i qeverisë së Britanisë ka qenë i paqartë.

Avokatët e palës së Maduros argumentuan se derisa qeveria britanike “nuk e njeh qeverinë e Maduros” ajo “vazhdon të njohë qeverinë e Maduros”.

Ata shtuan se njohja e Guaidos do të ishte “një ndërhyrje e palejueshme në punët e Venezuelës” si dhe “e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar”.

Avokatët e palës së Guaidos argumentuan në qershor se qeveria britanike “ka vendosur të njohë Guaidon si presidentin e përkohshëm kushtetues të Venezuelës dhe ka denoncuar” regjimin e paligjshëm, kleptokratik të Maduros”.

Maduro pasoi Hugo Chavezin si president i Venezuelës në vitin 2013, i cili u rikandidua për të fituar një mandat të dytë në vitin 2018, ku në mes kritikave për manipulim të votave, opozita bojkotoi zgjedhjet.

Në janar të vitit 2019, Guaido u vetëshpall ushtrues detyre i presidentit. Ish-sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt tha se qeveria e Britanisë e njeh Guaidon si “president të përkohshëm kushtetues të Venezuelës deri sa të mbahen zgjedhjet e besueshme presidenciale”

Gjykatësi Nigel Teare sot vendosi: “Qeveria e madhërisë së saj e njeh Guaidon në cilësinë e presidentit të përkohshëm kushtetues të Venezuelës ndërsa nuk e njeh Maduron si president të përkohshëm kushtetues të Venezuelës”

“Pavarësisht bazës për njohjen, Qeveria e Madhërisë së saj njeh pa mëdyshje Guaidon si president të Venezuelës. Do të thotë se Qeveria e Madhërisë së saj nuk e njeh më Maduron si president të Venezuelës. Nuk ka vend për njohjen e Guaidos si president ‘de jure’ dhe Maduron si president ‘de-fakto'”, tha Teare.