HASANI: VIÇI NJË JAVËSH MË I MADH SE KAU QË KAM UNË NË SHTËPI

Xhafer SADIKU

Për të marrë eksperiencën e fshatarësisë sovjetike në fushën e kolkozeve, regjimi komunist dergonte herë pas herë delegacione me fshatarë nga zonat e ndryshme të vendit. Ajo çka do të shihnin atje do të tregonin këtu dhe, kjo do të ishin propaganda më efikase e regjimit për kolektivizimin e bujqësisë.
Hasani sapo ishte kthyer dhe, i shoqëruar nga kuadrot e rrethit levizte në çdo fshat për tu treguar fshatarëve çfarë kishte parë në fshatrat e Bashkimit Sovjetik:

“… S’ka kalem që t’i ngrerë në kartë dhe gojë që ti molloisë ato që kemi parë ne atje. Janë kaqë të çuditëshme sa që kur ti dëgjoni, mbase as që do të më besoni, sepse s’ua pret mendja që të jenë të vërteta ato që do t’u them.
Po nga t’ia nis unë i shkreti? Ç’të them më përpara?
Ata janë njerës: komunistë, vëlla; s’ke ç’u thua. S’janë çapaçulë. Po të mos kish plasur lufta, ata do të kishin vatur në komunizëm me kohë; po do të venë shumë shpejt.

Ata mikut i thonë mik me gjithë shpirt. S’kishnë ku të na vinin. Jo vetëm të mbëdhenjtë, por edhe fëmijët; kudo që shkonim na prisnin me krahë hapët dhe na përshëndetnin me shenja.
– Ju, jini miqtë tanë, na thoshnin. Ne do të jemi bashkë kurdoherë sa të jetë jeta.

Dhe kudo na flisnin për Shqipërinë dhe për Enverin; ata na njihnin shumë mirë. E dinin luftën tonë dhe përpjekjet tona të sotme.
Ata ku të linin pa të dhënë dhurata; pa t’i mbushur duart me çfarëdo gjë.
Pa kur shtroheshim për të ngrënë, haronim të ngriheshim. Përpara gjellëve do të provonim lloj lloj pijesh. Tridhjetë e gjashtë lloj verërash, përpara se të shtroheshin gjellët, pimë në drekë. Po kur pinin edhe ata si ne: me dolli e dollibash. Si këtu edhe atje në krye të sofrës dhe dollibash ishte më plaku. Në Dagestan e kishin zakon të pinin me brirë kau. Ata i mbushnin plot dhe sa ta shkundje, do të duhej ta mbanje në dorë se, sepse; po ta mbështeje më mësallët, derdhej.

Po sa e duan shoqi shoqin. Atje s’ka cmirë dhe zili. Atje s’dinë çdo të thotë të futësh në gropë tjetrin; të mundohesh ta vithisësh me gjithë rroba. Atje ka dashuri me njeri tjetrin, atje janë të gjithë vëllezër e motra.
Atje vdes vetëm ay që s’punon. Po s’kish njeri që s’punonte. Të gjithë punonin. Kush punonte më tepër, ai kish më tepër nder. Vajzat pëlqenin atë që punonte më shumë.


Po ç’të shikoje: ç’lopë që kishin: e kishin gjinë sa një kaçup njëqind okësh; një lopë e atyre mund të mbante me qumështin e saj dhjetë familje tonat. Të ishte viçi një javësh më i madh se kau që kam unë në shtëpi…
Sic kemi na maternitetin ata e kishin për lopë. Po, s’u gënjej: kishin maternitet për lopë.

Po c’rrush që kishin: lloj lloj – të kuq, të zi, të bardhë. Të ftisej kokrra e rrushit sa një patëllxhan dhe veshi i rrushit bëhej sa një dhelpër me gjithë bisht, sepse rrushi kishte edhe një bisht; atë se këpusje dot me dorë, të duhej gëshërë.
Atje si nuk sheh një të shëndoshë e një të dobët; atje të gjithë janë flakë të kuq si molla.
Ti shikosh vajzat të veshura e të ngjeshura mirë, të gjitha me shalle. Shkojnë në punë, pastaj kthehen të gëzuara. Në mbremje kërcet kënga dhe vallja që s’ke ç’i thua…”

Tregimi i Hasanit s’kishte të sosur…