Spasovski: U anëtarësuam në NATO, mundemi edhe në BE

Hymë në NATO, ndërsa do ta realizojmë edhe qëllimin e dytë strategjik anëtarësimin në BE, porositi bartësi i listës në njësinë zgjedhore 2 të Koalicionit “Mundemi” Oliver Spasovski në takim me qytetarët në komunën e Shkupit Gjorçe Petrov.

“Siguri janë anëtarësimi në NATO dhe integrimet evropiane dhe kjo është rruga e drejtë për të gjithë ne. Hymë në NATO. Njërin qëllim strategjik të shtetit e realizuam. Mundemi edhe në BE. Morëm vendim për fillim të negociatave me BE-në dhe ky është fillim i realizimit të qëllimit të dytë strategjik të shtetit tonë. Në 4 vitet e ardhshme, deri në vitin 2024, do të hapim 80 për qind të kapitujve për integrim në Bashkimin Evropian. Kjo do të nënkuptojë 2,5 miliardë euro nga fondet evropiane, për shtetin tonë. Këto janë më shumë para në përballjen me krizën korona, për shëndetësinë, për ekonominë e re zhvillimore, për shtet të pastër ekologjik, për vend me rrugë moderne, ujësjellës, kanalizim, bujqësi evropiane, për standarde evropiane – në vend”, deklaroi Spasovski.

Këto, siç theksoi, janë mundësi për eksport të produkteve nga MV-ja, për zhvillim të ndërmarrjeve, për paga më të larta për të punësuarit, për punësime të reja, për zhvillim të shpejtë të garantuar ekonomik.

“Në atë rrugë është edhe vendi ynë. Dhe nuk jemi më të vetëm dhe të pambrojtur. Siguruam të ardhme të sigurt për ne dhe për fëmijët tanë. NATO-ja, BE-ja janë siguri. Ai është opsioni para nesh. E kundërta paraqet rrezik: ripërtëritje e regjimit, kërcënime të reja, shantazhe të reja, ndasi të reja, zënka të reja me fqinjët dhe botën, izolim ndërkombëtar. Dhe këto janë shpresa të shkreta të Gruevskit, i ripërtërirë në Mickovski. Nuk ka kthim prapa, jemi në rrugë të duhur dhe vazhdojmë edhe më shumë dhe më mirë, pas NATO-s edhe në BE”, theksoi Spasovski.