Ergys Mërtiri
Shoqëritë totalitare krijojnë një lidhje të veçantë me intelektualët. Ato kanë shumë nevojë për ta, pasi janë themeluar mbi ideologji që kërkojnë të shtrihen në çdo hapësirë të shoqërisë. Pa një elitë intelektuale që përpunon, legjitimon, argumenton dhe shpërndan ideologjinë, si dhe ofron modelet e reja të sjelljeve dhe marrëdhënieve shoqërore, asnjë pushtet i tillë nuk do të mund të ishte i suksesshëm. Ai arrin të realizojë qëllimet e veta pikërisht falë gatishmërisë së intelektualëve për t’u vënë në shërbim. Janë ata që më shumë sesa aparati i terrorit shtetëror, u krijojnë mundësitë regjimeve totalitare të shtrijnë kontrollin e tyre absolut në shoqëritë ku janë instaluar.
Komunizmi në Shqipëri investoi jo pak në krijimin e elitave të tij. Ai ngriti universitetet, institutet shkencore, institucionet e artit dhe të kulturës duke prodhuar një elitë të re, e cila u vu në shërbim të realizimit të projektit të tij. Pasi shkatërroi elitat ekzistuese, ai i zëvendësoi ato me të reja, të formuara nga njerëz që gjithçka e arritën falë investimeve të tij. Këto elita u bënë avangarda e regjimit në planin kulturor, duke shtruar udhën e tij drejt dominimit total.
Në funksion të këtij qëllimi u përzgjodh një kategori të rinjsh, një pjesë prej të cilëve u dërguan të shkollohen jashtë, – në Bashkimin Sovjetik, Çekosllovaki, Poloni, etj., për të importuar prej andej përvojat e vendeve të tjera në instalimin e sistemit komunist. Shumë prej tyre u bënë pararoja e zhvillimeve në shkencë, letërsi, art, kulturë, duke arritur sukses në zbatimin e modeleve të importuara nga vendet ku studiuan.
Natyrisht kjo shtresë intelektualësh shikohej me një sy të veçantë nga regjimi dhe mund të thuhet se ka qenë jo pak e privilegjuar. Ata bënin një jetë pa shumë mundime në krahasim me të tjerët, kishin një status të lakmueshëm, një emër publik dhe paguheshin mirë. Një regjisor i kategorisë së parë merrte rrogën e një zëvendësministri, pa llogaritur këtu edhe përfitime të tjera, si lejet e krijimtarisë, shpërblime apo dieta. Kjo bëhej për shkak se partia në pushtet e konsideronte kinemanë sipas maksimës së Leninit “artilerinë e rëndë të propagandës”. Kujdesi i pushtetit dhe vëmendja publike e përfituar nga kjo kategori studiuesish, shkrimtarësh, artistësh ishte aq i madh, sa shpesh i bënte të xhelozoheshin edhe shumë prej udhëheqësve e vendit.
Nga një vështrim i përgjithshëm mund të dallojmë disa kategori intelektualësh në shërbim të një regjimi totalitar, të cilët i gjejmë edhe në Shqipëri.
Të parët janë militantët, ata që e ndihmojnë lëvizjen politike totalitare të vijë në pushtet. Fillimisht ata mund të jenë idealistë dhe të besojnë vërtet në utopinë e tyre, por më pas, kur gjërat shkojnë keq e më keq, ata detyrohen të mbesin peng i sistemit që kanë ndërtuar vetë. Ata nuk mund të dalin më kundër jo vetëm për shkak të privilegjeve që nuk duan t’i humbasin, por edhe për shkak të mungesës së kurajës për të pranuar dështimin e tyre. Në këtë mënyrë ata detyrohen ta heqin vallen deri në fund.
Në një kategori të dytë mund të përfshijmë ata që mund t’i quajmë oportunistët. Këtu klasifikojmë një masë të madhe intelektualësh, të cilët, pa asnjë meritë, pushteti i merr nga hiçi për t’i ngritur në majë, duke i ngarkuar me punët më të pista që i nevojiten. Në mungesë të një talenti të vërtetë, ata bëhen kryesisht shefa apo spiunë, për të mbajtur në kontroll të talentuarit. Ata janë edhe më të predispozuarit për të pranuar dhe mbrojtur çdo lloj poshtërsie, pasi ata i detyrohen pushtetit për gjithçka. Ata shërbejnë jo vetëm për të përçuar deri në fund direktivat e partisë, por edhe për të ushtruar presion mbi kolegë të tyre të lëkundur.
Kjo kategori krijon një mjedis të pasigurt në rrethet intelektuale, ku individët, më shumë se nga vetë regjimi, ruhen nga njëri-tjetri. Jeta kolektive kthehet në një xhungël ku gjithkush ruhet prej gjithkujt. Czeslaw Milosz flet për disa lloj intelektualësh që i përshtaten më shumë këtij grupi, të cilët ai i quan “qentë roje” të partisë, të cilët ndahen në dy lloje: ata që lehin dhe janë të egër dhe ata që janë tinëzarë e kafshojnë në fshehtësi. Këta të dytët, sipas tij, kanë përparësi në regjimet totalitare, duke krijuar një racë njerëzore që nuk mund të ndreqet më, Njeriun e Ri.
Në kategorinë e tretë janë të talentuarit, të cilët detyrohen t’i shërbejnë regjimit për shkak të tundimeve, presioneve, si dhe një sërë arsyesh të tjera që kanë të bëjnë me statusin e tyre personal. Këta e vuajnë më shumë kompromisin, ndonëse mundohen ta justifikojnë atë. Ata kalojnë nëpër një proces të gjatë manipulimi të vetes në funksion të legjitimimit të shtrembërimeve që janë të detyruar të bëjnë, si dhe të vetë krimeve të regjimit të cilat janë të detyruar t’i mbrojnë. Ata e humbin kështu kontaktin me të vërtetën duke prodhuar një koracë iluzionesh me të cilën gënjejnë veten dhe të tjerët.
Czeslaw Milosz ka lënë një rrëfim të shkëlqyer mbi operacionet logjike e psikologjike që ndodhin në ndërgjegjen e kësaj kategorie, duke shpjeguar në mënyrë të mrekullueshme dialektikën që i shpie ata drejt nënshtrimit të plotë. Në librin e tij “Mendja e robëruar” ai shpjegon se ata janë shumë të zgjuar dhe të aftë për akrobaci të hollësishme mendore në prodhimin e një morali justifikues.
Fillimisht ky lloj intelektuali bën disa lëshime, por gradualisht e kupton se ato nuk mjaftojnë, duhet rekrutim i plotë. Gjithçka kalon në një sërë fazash siç është ndjenja e fajit, vuajtja e më pas justifikimi dhe dorëzimi. Në fund, ai mësohet me faktin dhe gjithçka fillon të bëhet e lehtë. Ai fillon të ushtrohet në sportin e hipokrizisë duke njohur aftësitë e tij për t’i fshehur të vërtetat brenda vetes. Kultivimi i shtirjes prodhon një pervertim të brendshëm, duke bërë që ai të fillojë të çmojë dinakërinë.
Në këto kushte, ky lloj intelektuali krijon mekanizma mbrojtës. Ai ndërton “faltoren e tij intime” brenda botës së tij të brendshme, por në fakt, duke ushtruar vazhdimisht rolin që është detyruar të luajë, ai ka filluar ta brendësojë atë, aq sa ky rol është bërë tashmë vetja e tij. Ai tashmë e ka humbur veten.
Me një mprehtësi psikologjike, me një aftësi të jashtëzakonshme për të fshehur mendimin duke luajtur me fjalët, ai mendon se ia ka dalë të ruajë të fshehtën e tij. Tendosja sfilitëse për të qenë i vëmendshëm që vetja të mos e tradhtojë, i shkakton një ndjenjë kënaqësie mazokiste. Djallëzia e përdorur kundër djallit të bën të besosh se po ia hedh atij, por në të vërtetë, djalli e di mirë këtë dhe është i kënaqur. Ndonjëherë, pajtimi i jashtëm është gjithçka që ka nevojë tirania, thotë Milosz.
Çfarë i shtyn intelektualët ta pranojnë këtë? Sipas tij, janë një sërë faktorësh. Natyrisht privilegjet, rehatia dhe vlerësimi që regjimi siguron për ta, janë një faktor i rëndësishëm, por ka edhe të tjera që kanë të bëjnë më shumë me thelbin e natyrës së intelektualit.
Regjimet totalitare e afrojnë intelektualin me publikun. Arti, letërsia mendimi që kultivon komunizmi zhvishet nga elitizmi i artit dhe i filozofisë borgjeze për të zbritur në masa. Kështu materializmi dialektik bashkon elitat me popullin, çfarë është ëndrra e një intelektuali. Ai arrin ta zbresë atë tek njerëzit dhe t’i japë atij mundësinë të ndikojë mbi ta. Nga ana tjetër, partia kontrollon publikun dhe, për pasojë, ajo ka në dorë garantimin e suksesit të intelektualit. “Të jenë midis masave është tundim i fuqishëm i intelektualëve që kanë rënë viktima të alienimit”, shprehet Milosz. Kjo e bën atë të ndjehet i dobishëm. Nëse humbet publikun, ai ka humbur veprën e vet, pasi ajo nuk ka kuptim pa të. Në fakt, duke u konformuar, ai fiton publikun, por humbet vetë veprën, madje edhe veten.
Një tjetër arsye përse ky tip intelektuali konformohet është, sipas Milosz-it, edhe për shkak se ai nuk dëshiron të jetë humbës. Realiteti, nën një sundim totalitar, tregon se regjimi është i fortë dhe logjika historike i jep atij të drejtë. Ata ndjehen të pasigurt t’i kundërvihen rrjedhës së historisë, e cila i bën të ndjehen të dështuar. Për këtë arsye, duke u rreshtuar në anën e pushtetit, ata ndjehen se po hedhin hapa të sigurt dhe po ecin konform asaj çfarë kërkon koha.
E gjitha kjo nxjerr në pah pikërisht egoizmin e brendshëm të intelektualit, i cili e shtyn drejt korruptimit duke pranuar t’u shërbejë regjimeve kriminale. Ai kërkon të jetë fitues përpara se të jetë i virtytshëm, dhe për këtë arsye, ai zgjedh të ecë me rrjedhën e historisë, pa menduar se kjo rrjedhë mund të ndryshojë dhe ajo çfarë i mbetet është vetëm imoraliteti i zgjedhjes së vet. Paaftësia për të parë përtej fuqisë momentale të pushtetit e bën të dorëzohet. Duke zgjedhur moralin e fituesit, moralin e të fortit, ai korrupton veten dhe veprën e vet, në emër të së cilës justifikon haraçin e paguar ndaj diktaturës. Në fakt, ai e ka shitur, në këtë mënyrë, veprën e vet. Ajo nuk është më e tija, por e regjimit që ajo i shërben.