Nga java tjetër pritet që të mos nevojiten test PCR për koronavirus dhe vetizolim 14 ditor, për të hyrë në kufijt e Maqedonisë së Veriut. Kështu paralajmëron TV21, duke u thirrur në burime pranë institucioneve përgjegjëse.
Testi negativ PCR me vlefshmëri 72 orë si dhe vetizolimi 14 ditësh nga e hëna me siguri do të hiqet, ndërsa hyrja dhe dalja nga kufijt e vendit do të jetë pa kushte. Por vendimtare për këtë vendim do të jenë numrat me të infektuar gjatë ditëve të fundit”, raporton TV21.
Qeveria gjatë fundjavës do të sjellë vendimin duke u bazuar edhe në propozimet e Komisionit për sëmundje infektive.
“Gjatë fundjavës do të shohim se si jemi me situatën dhe rastet e të infektuarëve do të na tregojnë kurbën e epidemiologjisë. Me këtë do të mësojmë se çka na pret dhe vetëm në bazë të analizave dhe rekomandimeve do të sjellim vendim”, ka theksuar për TV21 ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sipas tij, me hapjen e kufijve nga gjithë rajoni, karantina do ta humbas kuptimin, për shkak se tanimë ka lëvizje të qytetarëve dhe makinave.
Filipçe ka theksuar se në çdo dy tre ditë ka kontakte dypalëshe dhe biseda telefonike me të gjithë ministrat e vendeve fqinje si Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, dinamikës së zbulimit të rasteve të reja.
Deri tani është në fuqi masa që për çdo shtetas të hyn në vend duhet të ketë test PCR për koronavirus me vlefshmëri 72 orë si dhe vetizolim 14 ditor. Ata që nuk do të respektojnë këtë do të shkojnë në karantinë shtetërore. Ndërsa shtetasit e huaj mund të hyjnë vetëm transit në vend, si hyrj në një pikë dhe dalje në pikën tjetër kufitare, dhe gjithë kjo duhet të bëhet brenda 5 orëve, dhe se makinat duhet të lëvizin vetëm nëpër autostradë dhe rrugët magjistrale. /TV21