COVID-19 i pranishëm në Itali nga dhjetori, zbulohen gjurmë në mostrat e ujërave të zeza

Studimi, i konfirmuar në dy laboratorë përmes dy metodave të ndryshme, ka treguar prani të virusit më 18 dhjetor 2019 në Milano dhe Torino

Romë

Një studim në Itali ka treguar se gjurmë të koronavirusit të ri (COVID-19) janë zbuluar në mostrat e ujërave të zeza të muajit dhjetor në qytetet Milano dhe Torino, transmeton Anadolu Agency (AA).

Studimi i kryer nga Instituti i Lartë i Shëndetit ka treguar se virusi ka qenë i pranishëm në vend shumë para zbulimit të rastit të parë më 21 shkurt, raportuan mediat e Italisë.

Në studimin në fjalë, ekspertët kanë analizuar 40 mostra të ujërave të zeza të Milanos dhe Torinos nga periudha midis tetorit të vitit 2019 dhe shkurtit të vitit 2020.

Studimi, i konfirmuar në dy laboratorë përmes dy metodave të ndryshme, ka treguar prani të virusit më 18 dhjetor 2019 në Milano dhe Torino. Gjetje të ngjashme kanë dalë në pah edhe në Bolonjë nga 29 janari i këtij viti.

Më herët, Giorgio Gori, kryetari i bashkisë së Bergamos në afërsi të Milanos, epiqendrës së virusit në Itali, kishte deklaruar se nuk e përjashtojnë mundësinë që COVID-19 të ketë qenë i pranishëm në Itali që në ditët e para të janarit, e madje edhe në dhjetor.

Që nga 21 shkurti, në Itali janë regjistruar 34.514 vdekje nga koronavirusi.