STRUGA DUHET TA NJOHË DHE TA SHKRUAJË HISTORINË E SAJ TË BUJSHME
-Intervistë e Lumturi Risvanit, pinjolle e familjes së njohur strugane të Nuri Murat Sojliut – firmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, e personalitetit të shquar Ibrahim Temo e të tjerë, dhënë gazetarit të karierës, Xhemi HAJREDINI në Strugë, zv./kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” për Maqedoninë e Veriut –
Gazeta e Alpeve: – Cili është kontributi i antarëve të njohur të familjes së Murat Bakallit (Sojliu) dhe pasardhësve të tyre?
Lumturi Risvani: –
(Vijon nga numri i kaluar)…
Djali i vajzës së Nuriut, Nadijes që ishte martuar me Emrrullah Gurrëni, cili kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Stamboll, nipi i tij Mynyr Emrrullah Gurra, pjesmarrës në çetat partizane në Shqipëri, në Strugë së bashku me Galip Xhemal Sojlin, organizuan dhe rrëmbyen Bankën e Napolit.
Gazeta e Alpeve: – Familja juaj e mbetur, a ka mirënjohje për kontributin e dhënë?
Lumturi Risvani: – Mendoj se jo vetëm ne, pinjollët pasardhës të familjes së madhe Ed’hem, apo me mbiemrat e tjerë siç shpjegova më parë, jemi jo vetëm mirënjohës, por edhe krenarë që jemi pinjollë të këtij fisi dhe përpiqemi që të jemi në gjurmët e tyre. Me të drejtë edhe populli shqiptar në Strugë ka qënë mirënjohës e mbështetës i këtij fisi duke u bërë edhe ata pjestarë të ngjarjeve të kohës, por mirënjohës është i gjithë populli shqiptar pasi me punën e bërë bashkërisht me patriotët e tjerë u arrit dhe u realizua shpallja ePavarësisë në Vlorë dhe në ngjarjet e mëpasme.
Nuri Murat Sojliu- një nga firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorën e 1912tës. (Foto arkivore)
Gazeta e Alpeve: – Çfarë ka bërë Struga për këto intelektualë të kalibrit të lartë?
Lumturi Risvani: -Mendoj se vlerësimi i popullit të Strugës ka qënë historikisht pozitiv. Ata i kanë mbështetur dhe ndihmuar si në rastet kur Murati me bijtë e tij në Srtrugë janë arrestuar dhe protestat e tyre kanë detyruar qeverinë turke t’i lironte nga burgosja. Pjestarë në Kryesitë e Shoqërisë ”Bashkim e Përparim“ e më pas Shoqërisë “Bashkimi”. Gjithashtu ka vazhduar më tej
kur bijtë e tyre mësonin fshehtas gjuhën shqipe në shtëpinë e Nuriut dhe tek Beqir Aga. Vendosjen e Xhemal Abdullah Sojlit si Kryetar të Komunës së Strugës, i cili është një nga 80 të vrarët në Tiranë në Masakrën e 4 shkurtit 1944 apo Mentor Xhemal Sojlit, Kryetar i Komunës së Vevçanit, që kishte mbaruar për aktor në Çineçita në Itali, kur dëgjonin këngët e Drita Xhemal Sojlit që kishte mbaruar konservatorin në Itali, këngëtare që në fillimet e Radio Tiranës dhe doli në pension nga Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë. Zgjedhjen e Nuriut si një nga përfaqësuesit delegatë të Strugës dhe të Ohrit në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, mbështetjen e Çetës së Muratit në luftrat e saj para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, etj, etj, dhe pas viteve 1990, me vendimet e marra nga Komuna e Strugës si për vendosjen e pllakës përkujtimore ku ka lindur Dr. I. Temo në shtëpinë e familjes së Nuriut, vendosjen e busteve të Dr. Ibrahim Temos dhe Dervish Himës buzë lumit Drin, vendosja e emrit “Ibrahim Temo” shkollës së mesme në Strugë. Po kështu vendimi për ndërtimin e varrit të Nuri Sojliut, Akademi për figurat e nderuara të Strugës, ku kanë bërë pjesë dhe ato të familjes Sojliu, organizim tubimesh dhe homazhesh, etj. etj. Me mirënjohje të thellë, ne pinjollët e fisit ndaj autoriteteve vendore dhe popullit të trevës, i vlerësojmë fort këto veprime atdhetare dhe fisnike.
Gazeta e Alpeve: – Me çfarë merren sot pinjollët e familjes dhe a janë të po atij niveli si ai i të parëve?
Lumturi Risvani: – E kam të vështirë të përgjigjem për veprimtarine e pasardhësve të fisit, sepse janë të shpërndarë në shtete të ndryshme si në Amerikë, Turqi, Rumani, Gjermani, Itali, Greqi, etj. Po mund të flas për vëllezërit e mi. Ivziu, fillimet e shkollës fillore së bashku me Remziun i kanë në Strugë në shkollën shqipe. Më pas i vazhdoi në Korçë. Në Tiranë ka mbaruar Politeknikumin “7 Nëntori” si teknik i mesëm elektrik. Ka punuar në Uzinën Elektro-Teknike dhe është vlerësuar për kontributin e tij në aksionin për elektrifikimin e Shqipërisë. Në ndërmarrjen, Gjeologji-Miniera në sektorin e kërkimeve gjeologjike. Këtu Presidiumi i Kuvendit Popullor i jep Ivzi Shyqyri Përnaskës “Urdhërin për punë të shquar në miniera dhe gjeologji të klasit të tretë” me Dekretin nr. 7286, datë 4 mars 1989, firmosur nga Kryetari dhe Sekretari. Petriti vëllai im i vogël, ka mbaruar Universitetin Shtetëror të Tiranës në degën gjuhësi-letërsi me titull Mësues i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe për shkollë të mesme, ka punuar në Rrethin e Burrelit; redaktor në gazetën “Bashkimi”, mësues në rrethin e Tiranës në shkollën e Marqinetit. Presidenti i Republikës, Sali Berisha, ME Dekretin Nr. 1036, dt. 06.03.1995, i jep z. Petrit Përnaska: Urdhërin “Naim Frashëri i shkallës së dytë” si “Mësues i Merituar”, ku me ceremoni në Këshillin e Bashkuar, sektori i Drejtorisë Arsimore Kamëz Tiranë iu dorëzua ky titull. Remziu, vëllai im i madh, ështëi njohur si në Shqipëri dhe jashtë saj. Pjesmarrës në Kongresin drejtëshkrimor në Tiranë dhe nënshkrues i tij. Pedagog në Universitetin
Shtetëror Tiranë, Fakulteti Histori-Filologji, Dega letërsi-gjuhësi duke nxjerrë breza të tërë studiuesish dhe mësuesish për gjuhën shqipe. Punonjës shkencor pranë Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë në sektorin e gjuhësisë. Ka marrë pjesë në Konferenca Albanologjike për gjuhën shqipe të organizuara në Shqipëri dhe në shtete të ndryshme. Pedagog në Sorbonë (Francë). Ka të botuara dhe të përmbledhur në disa volume studimet. Ka mbrojtur titullin Doktor Profesor. Universiteti “Aleksandër Xhuvani“ në Elbasan, mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr.467, datë 18.07.2007, Senati i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, me propozimin e Rektorit të Universitetit, me vendimin nr. 3, datë 03. 10. 2013 i jep zotit Remzi Përnaska titullin “Doctor Honoris Causa” Me motivacion:”Për kontribut të shquar në fushën e gjuhësisë dhe kulturës shqiptare, për fuqizimin, bashkëkohëzimin dhe përvijimin e infrastrukturës së dijes shkencore dhe të mësimdhënies, si edhe për mbështetjen e kërkimit shkencor në këto fusha në Fakultetin e Shkencave Humane të UE ”A. Xhuvani” Elbasan, më 25.10.2013. Rektori i Universitetit të Elbasanit Liman Varoshi, ndërsa Presidenti i Republikësi jep Z. Remzi Pernaska titullin “Mjeshtër i Madh”, për ndihmesën e shquar në fushën e studimeve gjuhësore shqiptare nëpërmjet studimeve e artikujve, për përgatitjen universitare e pasuniversitare të shumë arsimtarëve e studiuesve, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e kulturës e gjuhës shqipe në botë, si pedagog e si pjesmarrës në shumë konferenca e kongrese ndërkombëtare.” Nr. dekreti 9874, Tiranë, më 21.11.2016. Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Përsa i takon pjesës nëse janë të po atij niveli si ai i të parëve, unë nuk jam në gjendje t’i përgjigjem, por mund të them se të gjithë janë përpjekur që të ecin në gjurmët e të parëve. Vlerësimin e bëjnë të tjerët, koha dhe shoqëria.
Gazeta e Alpeve: – A keni ndonjë porosi për qytetarët struganë?
Lumturi Risvani: – Po. Kam një dëshirë që do ta lija si porosi në radhë të parë për pinjollët e fisit tim, historianëve, studiuesve dhe qytetarëve struganë qëtë gërmojnë në libra dhe më e rëndësishmja në kujtesën e popullit në Komunën e Strugës.
Struga e meriton të shkruhet sa më shumë për historinë e saj të lashtë dhe të re.
Porosia dhe dëshira ime është që të shkrueshin gjëra që t’ia transmetonim historinë dhe traditat e popullit, në këtë rast flasim për struganë, por vlen edhe për më gjerë, brezave që vijnë e do të vijnë. Ndoshta kjo dëshirë e imja është se historia mbetet pasioni im.
Strugë-Tiranë, në mars-prill 2020
Fotot botohen për herë të parë në “Gazeta e Alpeve”.