LADORISHTI KUJTON:Në datën 15 Qershor të vitit 1992 forcat policore (rreth 1160 policë, 6 tanke) rrethuan Ladorishtin

LADORISHTI KUJTON

LADORISHTI ndodhet në rrethinat e Strugës (Maqedoni e Veriut). Është zonë e banuar qysh në lashtësi, e cila shtrihet në lartësinë 700-800 m. mbi nivelin e detit. Fshat-qytet i madh (do të thoshim), gati 100% SHQIPTAR, që ka mbajtur dhe mban përherë ndezur dhe shpalosur ndjenjën e krenarisë kombëtarë, atdhedashurinë, traditat shqiptare dhe pishtarin e pashuar të shqiptarizmit. Flamuri kombëtar shpaloset lirshëm në hapësirën ladorishtiane.
(Parantezë: Klubi i futbollit të këtij fshati mban emrin “ K.F. Flamurtari”, madje edhe ballinën e xhamisë së këtij fshati – Ladorishti është i besimit islam – rinia e tij e ka zbukuruar me flamurin kombëtar.)
Në vitet 1990 ka pasur rreth 4000 banorë. 40 % e banorëve të tij të aftë për punë kishin mërguar në Perëndim, pasi nuk kishte punë. E njëjta gjendje paraqitet pak a shumë edhe sot. Ky fshat-qytet ka rreth 700 shtëpi me rreth 4.821 banorë (2019). Një pjesë e tyre, ashtu si kudo ku ka shqiptarë, ka mërguar jashtë, kryesisht në Europën Perëndimore dhe në Amerikë.
Ladorishti në çdo kohë ka qenë etalon luftëtari, atdhetarie e shqiptarizme.
Gjatë LDB forcat pushtuese gjermane, vetëm në datën 28 tetor 1944, vranë 84 banorë të këtij fshati. Ata janë nderuar e nderohen me respekt dhe mbi memorialin e tyre valëvitet krenar flamuri kombëtar!
Ngjarjet e trishta për këtë fshat përsëriten…
Në datën 15. 06.1992 forcat policore (rreth 1160 policë, 6 tanke) ushtruan terror mbi Ladorishtarët.
Burra me vetëdije kombëtare të këtij fshati të madh dhe aktivistë të ndryshëm kërkonin mbledhjen e firmave për të nënshkruar një peticion për rihapjen e shkollave shqipe të mbyllura pas demonstratave të vitit 1991.
Forcat policore ushtruan dhunë e terror mbi banorët e fshatit.
Nuk mbeti pa u dëmtuar as shtëpia dhe as familjarët e mikut tim Verdat Kolonja, të cilët atë e bir, si dhe shumë banorë të tjerë u dënuan me akuzën “thirrje për rezistencë kundër pushtetit” sllav.
Ngjarja bëri bujë të madhe jo vetëm në hapësirën mbarëshqiptare, por edhe në Europë.
Ja sesi e përshkruan një gazetar e publicist gjerman i quajtur Hans Peter Rullman këtë ngjarje:
“Edhe shtëpia e Xhemail dhe Verdat Kolonjës u dëmtua. Të gjitha gjërat u praptuan dhe mobiliet u shkatërruan. Xhemail Kolonja është aktivist i shoqatës humanitare “Nënë Tereza”. Policia plaçkiti nga ky 2000 DM. Këto ishin mjete të shoqatës “Nënë Tereza”
Kështu shkruhet në librin “Ikja masive” me autor HANS PETER RULLMAN, f. 128 (botim në gjuhën shqipe).
(PATANTEZË SQARUESE / SAKTËSUESE E RËNDËSISHME: Autori Hans Peter Rullman jep të dhëna të sakta lidhur me datën dhe ngjarjen në Ladorisht, veçse bën një gabim. Ai ngatërron emrin e babait të Verdatit, i cili quhej Shemshedin me një emër tjetër: Xhemail Kolonja! Pas verifikimeve tona, na rezultoi se nuk ka pasur Xhemail Kolonja në këtë fis për kohën në të cilën flasim, kështu që në vend të emrit Xhemail do të duhej të ishte emri shkruar emri i babait të Verdatit: Shemshedin Kolonja.
Shemshedin Kolonja (dritë pastë!) ishte një shqiptar atdhetar që ka luftuar gjithë jetën me shpirt për çështjen kombëtarë.
Në gjurmët e tij ecën edhe i biri Verdati.
Dardha bie nën dardhë – thotë populli!
Ladorishti lind veç trima shkruan Ibrahim Abedini, një figurë e njohur e këtij vendi.
Figura popullore e të njohura nga Ladorishti janë:
• Ibrahim Abedini, Shkrimtar;
• Xhevit Hoxha (1942–2015), Mësues dhe notar;
• Lebit Murtishi (* 1955), Poet;
• Selami Kolonja (* 1970), Këngëtar.


Viktor Bakillari
😍💓🎩🇦🇱
Tir-15.06.2020-anë.