Maqedonia e Veriut miraton protokollin për transit të papenguar të shtetasve të huaj

Në njoftim theksohet se transiti i këtyre personave do të lejohet të realizohet në një kohëzgjatje prej më së shumti pesë orëve, respektivisht shtetasit e huaj do të plotësojnë një deklaratë në hyrje të cilën do të duhet ta dorëzojnë në dalje

Shkup

Në seancën e 66-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është miratuar Protokolli për transit të papenguar të shtetasve të huaj përmes territorit të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e qeverisë theksohet se transiti i këtyre personave do të lejohet të realizohet në një kohëzgjatje prej më së shumti pesë orëve, respektivisht shtetasit e huaj do të plotësojnë një deklaratë në hyrje të cilën do të duhet ta dorëzojnë në dalje për t’u kryer kontroll mbi kohëzgjatjen e transitit.

“Në seancën e sotme të 66-të Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi Protokollin për transit të papenguar të shtetasve të huaj përmes territorit të Maqedonisë së Veriut, i cili përcakton se shtetasit e vendeve të tjera që kalojnë nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut mund t’i shfrytëzojnë vendkalimet kufitare Tabanovcë, Deve Bair, Bogorodica, Qafë Thanë, Bllacë dhe aeroporti i Shkupit”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut më 16 mars vendosi të mbyllë vendkalimet kufitare për të luftuar koronavirusin e ri (COVID-19), duke përjashtuar hyrjen dhe transitin e kamionëve, hyrjen për përfaqësuesit e trupit diplomatik në vend, si dhe për personat e tjerë për të cilët Ministria e Punëve të Brendshme lëshon leje për ndonjë interes të veçantë shtetëror ose ekonomik.

Po ashtu në kuadër të masave për të luftuar virusin, vendi mbylli Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, përveç fluturimeve shtetërore, ushtarake, mjekësore, të ngarkesave dhe atyre humanitare.

Autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut së fundmi njoftuan 196 raste të reja të zbuluara gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 3.895 numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me koronavirus, prej të cilëve 179 persona kanë vdekur.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij para publikut gjatë ditës së djeshme deklaroi se nuk ka nevojë të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme në vend, e cila përfundoi sonte në mesnatë pasi për herë të parë u shpall më 18 mars për të luftuar përhapjen e COVID-19.